Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë se po përpiqet të poshtërojë Kombet e Bashkuara duke hedhur raketa ndaj Kievit gjatë vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj organizate, António Guterres.
Sulmi tronditi përpjekjet e banorëve të kryeqytetit për t’iu rikthyer normalitetit ndërsa lufta dukej se ishte zhvendos drejt lindjes.
Në fjalimin e së enjtes në mbrëmje drejtuar kombit zoti Zelensky tha se kjo gjë kërkon reagimin e duhur të fuqishëm. Zelensky tha gjithashtu se forcat e Ukrainës po pengonin avancimin e Rusisë në juglindje të vendit.
Ndërkohë po vazhdojnë përpjekjet për të siguruar një kalim të sigurt për banorët e bllokuar në qytetin e Mariupolit, i cili është shndërruar kryesisht në rrënoja si pasojë e një rrethimi mbi 2-mujor të tij.
Rusia goditi disa objektiva nëpër të gjithë Ukrainën të enjten, përfshirë Kievin, ku raketat ranë edhe në një bllok apartamentesh banimi, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e 10 të tjerëve.
Duke iu referuar të njëjtit sulm, Ministria ruse Mbrojtjes tha të premten se kishte shkatërruar një fabrikë të prodhuesit të raketave Artem në Kiev.
Sulmi në Kiev ndodhi vetëm një orë pas një konference për shtyp të zotit Zelensky me zotin Guterres, i cili dënoi sulmet ndaj civilëve dhe vizitoi disa nga objektet e shkatërruara në Kiev e përreth tij.
Këto ishin bombardimet më të ashpra të ndërmarra nga forcat ruse ndaj kryeqytetit, që prej tërheqjes së tyre disa javë më parë, pasi dështuan ta merrnin atë nën kontrollin. Moska u ndesh me një rezistencë të fortë ukrainase, përforcuar nga armët perëndimore, çka pengoi përparimin e trupave të saj dhe i detyroi të tërhiqeshin për t’u rigrupuar.
Një pjesë e trupave po bën përpjekje të përparojë drejt qendrës industriale në lindje të vendit, Donbas, për të cilin Moska thotë se është aktualisht objektivi i saj. Sulmet ajrore dhe breshëritë e artilerisë e kanë bërë jashtëzakonisht të rrezikshme lëvizjen e gazetarëve dhe kjo e ka bërë të vështirë sigurimin e një tabloje të plotë të luftimeve në lindje.
Si Ukraina ashtu edhe rebelët e mbështetur nga Moska që luftojnë në lindje, po zbatojnë kufizime të rrepta mbi njoftimet nga zonat e luftimeve.
Top Channel