Milani ëndërron sulmuesin e City-t, pengesë kryesore është Guadiola

20/04/2022 18:18

E gjithë vëmendja e Milanit është tek “ylli” i Anglisë, Raheem Sterling. Italianët kërkojnë të nënshkruajnë me sulmuesin e Manchester City-t, edhe pse kontrata aktuale e tij përfundon në vitin 2023. I preferuari i Pep Guardiolës duket së është i lumtur në Angli, megjithatë një ofertë nga Milani do të ishte joshëse për 27-vjeçarin.

Sterling i është bashkuar City-t në vitin 2015 dhe ndoshta merkatoja e verës është momenti i duhur që ai të lërë ekipin ku ka luajtur plot gjashtë vite e gjysmë.

Ndërkaq, Milani është me sy e veshë nga City, duke përgjuar çdo lëvizje të sulmuesit, pasi dëshiron me ngulm nënshkrimin me të për sezonin e ardhshëm. Gara nuk do të jetë e lehtë për italianët, pasi ofertat për Sterling nuk kanë munguar, edhe pse ai ende nuk ka deklaruar se dëshiron të largohet nga Anglia.

Pep Guardiola gjithashtu e rendit Sterling ndër lojtarët e tij të preferuar dhe do të jetë e vështirë që ai të lejojë largimin e shënuesit të 10 golave për Manchester City-n këtë sezon. Pavarësisht kësaj, tek Milani nuk dorëzohen dhe po bëjnë lëvizjet e tyre që të nisin me çdo kusht negociatat me sulmuesin. Milani beson se afrimi i Sterling në ekip do të përmirësonte ndjeshëm sulmin për vitin e ardhshëm.

Top Channel