Teuta, “ecën” në sprintin final të sezonit/ Përpara sheh një kalendar të vështirë

19/04/2022 11:35

Sezoni është drejt fundit dhe verdiket finale janë shumë pranë, ndërsa Teuta është bërë gati të dorëzojë titullin kampion, por durrsakët momentalisht po mendojnë për të tjera “halle”.

Skuadra e Renato Arapit po lëkundet në rezultate duke mos gjetur qetësi, me ekipin që ka humbur shumë në renditje. Teuta pozicionohet në vendin e shtatë, me 33 pikë, dy më shumë se Egnatia dhe katër më pak se Kastrioti.

Një sezon i vështirë dhe kjo për disa arsye, me kryesoren që bregdetarët zhvilluan pothuajse të gjithë sezonin në shtegtim. Por, edhe rikthimi në shtëpi, në “Niko Dovana” duket se nuk po e ndihmon skuadrën të “vrapojë” në sprintin final, sepse në tre ndeshje në Durrës, Teuta nuk ka arritur të shijojë fitoren, një humbje në kupë dhe dy barazime në kampionat. I fundit përballë Vllaznisë në limitet e sfidës, ndërsa bregdetarët nuk fitojnë prej një muaji në kampionat, nga suksesi i 20 marsit në Laç.

Kampionët e Shqipërisë kanë pësuar plot 12 humbje, një shifër që barazohet deri diku duke bashkuar dy edicionet e fundit, me Teutën që sezonin e kaluar e mbylli me vetëm 4 ndalesa. Misioni i vetëm që ka mbetur tashmë është të sigurojë matematikisht qëndrimin dhe të shmangë telashet e vendit të tetë, por kalendari është shumë i ngjeshur dhe i vështirë në letër.

Në javën e ardhshme, Teuta udhëton në transfertën e Dinamos, përballë një kundërshtari që prej javësh duket “pa busull”.  Më pas, sfida me Kukësin në shtëpi që do të pasohet nga transferta me Tiranën dhe në fund, Egnatia, Kastrioti, Laçi dhe Skënderbeu.

Teuta në këtë pjesë të sezonit do të luajë ndaj ekipeve që ende nuk kanë mbyllur llogaritë matematikisht me objektivat e tyre, me përjashtim të “bardhebluve”. Një kalendar jo i lehtë në letër sepse në tre fazat e para, ndaj këtyre kundërshtarëve, Teuta në total ka arritur të marrë 7 fitore, 6 barazime dhe 8 humbje, me bilancin pozitiv vetëm ndaj Dinamos dhe Egnatias me 7 pikë ndaj secilës, ndërsa me Tiranën, durrsakët kanë tre humbje, ashtu si edhe me Laçin, ku bilanci nuk është pozitiv, me vetëm 3 pikë në 3 ndeshje.

Top Channel