Dokumenti/ Zbardhet rekursi i SPAK për Saimir Tahirin kërkohet dënimi për “përfshirje në grup kriminal” dhe “trafik droge”

19/04/2022 10:45

Saimir Tahiri duhet të shpallet fajtor për “përfshirje në grup kriminal” dhe “trafikim droge”, argumenton SPAK në rekursin që ka bërë në Gjykatën e Lartë.

Gazetarja Anila Hoxha ka siguruar dokumentin ku SPAK thotë se argumentet dhe provat e pranuara nga gjykata, cilësimi si shpërdorim detyre është i gabuar dhe duhet cilësuar vepra e kryer si trafikim në kuadër të grupit të strukturuar:

“Gjykata, në mënyrë të gabuar argumenton në vendim se nga provat e paraqitura nga prokuroria në fashikullim e gjykimit nuk arrijnë të provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm marrëveshjen mes të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela dhe të paktën njërit prej të pandehurve në procedim të lidhur, Moisi Habilja, Florian Habilaj, Sabaudin Çelaj, Maridian Sulaj, Sokol Bode, Gjergji Kohila etj., për të kryer veprat penale të trafikimit të narkotikëve dhe as të identifikojnë dhe të provojnë veprime konkrete të kryera me dashje nga të pandehurit Saimir tahiri dhe Jaeld Çela, në kuadër të ndonjë marrëveshje për të ndihmuar grupin kriminal të Moisi Habilaj në ekzekutimin e episodeve konkrete të trafikimit në të cilat është sekuestruar lëndë narkotike”

Më tej, duke listuar provat që gjykata ka shqyrtuar, Prokuroia e Posaçme arsyeton se “gjykata ka vlerësuar dhe çmuar provat dhe faktet e lartpërmendura dhe në mënyrë të gabuar ka argumentuar se nuk vërtetohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm bashkëpunimi dhe qenia e të pandehurit Saimir Tahiri, pjesëmarrës dhe anëtarë të këtij grupi kriminal…. nga provat dhe faktet provohet plotësisht roli dhe bashkëpunimi i të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela në kryerjen e veprave penale të ‘Trafikimit të narkotikëve’, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal ‘Kryerja e veprave penale nga organizatat kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.

GJKKO e dënoi Saimir Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.

FOTO GALERI
29/29

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA