Bayerni mposht konkurrencën e Barçës dhe Tottenhamit, firmos me marokenin e Ajaxit

19/04/2022 20:10

Noussair Mazraoui është në muajt e fundit të kontratës me Ajaxin dhe klube të shumta europiane janë vënë në garë për shërbimet e tij, megjithatë duket se 24-vjeçari maroken ka zgjedhur Mynihun si destinacionin e radhës ku do të vijojë karrierën.

Sipas të përditshmes gjermane “Bild”, Bayerni i Mynihut ka arritur marrëveshjen me talentin maroken dhe kanë firmosur tashmë një kontratë 4-vjeçare, teksa pritet vetëm fundi i sezonit për të njoftuar transferimin zyrtar.

Në këtë mënyrë, bavarezët “djegin” konkurrencën me klube si Barcelona e Tottenham, që punonin gjithashtu për të marrë shërbimet e marokenit, por nuk mbaron me kaq.

Kjo pasi drejtuesit e Bayernit të Mynihut ndjekin me vëmendje edhe mesfushorin 19-vjeçar Ryan Gravenberch, i cili ka kontratë deri në verën e 2023-shit, por Ajax dëshiron ta shesë këtë verë, për të mos e humbur me parametra zero.

Top Channel