Rivaliteti i jashtëzakonshëm City-Liverpool/ Në Angli ëndërrojnë “tetralogjinë”, Klopp kërkon lavdinë

17/04/2022 15:12

Në përpjekjen për të përkufizuar me saktësi madhështinë e rivalitetit e Liverpool-it me Manchester Cityn, humbasin fjalët, ngadalësohet procesi i të menduarit dhe artikulimi i saktë merr trajtën e të pamundurës.

I tillë mund të konsiderohet rivaliteti i ethshëm i sezoneve të fundit, që asnjëherë nuk i zhgënjen pritshmëritë e larta të mbivendosura dhe që prodhon emocione të pafundme në çdo duel.

‘Triologjia’ mes ‘The Reds’ dhe ‘Cityzens’ në FA CUP, ishte dramatike, e luftuar deri ne frymën e fundit, voluminoze dhe një panoramë spektakolare për Anglinë, që po përjeton kulminacionin e futbollit të saj, në plan klubesh dhe kombëtar. Të besuarit e Jurgen Klopp me fitoren 3-2 siguruan finalen e parë të FA Cup që pas vitit 2012, por kësaj here do të shpresojnë për një tjetër histori në finalen e kompeticionit më të vjetër në Angli, si për dallim nga përfundimi i 10 viteve më parë kur mundeshin nga Chelsea.

Në këtë mënyrë, Liverpool ka shansin e koleksionimit të trofeut të parë të FA Cup që pas vitit 2006. Asokohe, finalja organizohej në ‘Anfield Road’ dhe skuadra nga Merseyside fitonte ndaj West Ham me një gol të shënuar nga Peter Crouch. Por me suksesin e së shtunës, Jurgen Klopp mban të gjalla shpresat për t’u bërë trajneri i parë që udhëheq një skuadër angleze drejt fitimit të katër trofeve brenda një sezoni.

Një arritjeje të ngjashme i përafrohet vetëm Manchester United në 1999, kur Djajtë e Kuq kompletonin tripletën, që vijon të mbetet edicioni më i suksesshëm që ka zhvilluar ndonjë ekip ishullor deri më sot, por fakti që Liverpool ka mundësinë të superojë rekordin e rivalëve të përjetshëm është treguesi i qartë se sa larg ka mbërritur kjo skuadër.

Në gjysmëfinalen e Champions League, përballja ndaj Villareal konsiderohet si e kalueshme, teksa synim i vetëm është arritja e finales së tretë kontinentale nën hegjemoninë e Jurgen Klopp. Vlen të përmendet se Liverpool mund të gjejë sërish përballë Manchester Cityn, kësaj radhe në finalen e kompeticionit më prestigjioz për klube, në rast se edhe ‘Cityzens’ ia dalin të triumfojnë ndaj ekspertëve të Champions League, Realit të Madridit.

Sigurisht që për të besuarit e Guardiolës, disfata e fundit ndaj ‘The Reds’ nuk është përtypur ende, dhe ky zhgënjim pritet ta përforcojë dëshirën e revanshit në skenën më mitike.

Në një krahasim të planit hollivudian, nëse beteja e së shtunës paraqiti triologjinë mes Liverpool dhe Manchester City në serite 2021/22, një përballje në finalen e Champions League, në Paris më 28 Maj do ta kthente atë në një ‘tetralogji’ që do të ndryshojë nga kapitujt e tjerë të filmave të suksesshëm që kemi përjetuar këtë sezon, pasi do të paraqiste ndeshjen më të madhe në historinë e Manchester City ndërkohë që Liverpool, në mënyrë të paprecedentë, do të mësuar verdiket përfundimtare të aktivizimit në katër fronte.

Argumente të tilla reflektojnë qartë, rritjen e stekës në mënyrë stratosferike të dy klubeve në sezonet e fundit, ku triumfi, lavdia dhe dëshira e paepur për sukses janë kthyer në motot e pakundërshtueshme të Manchester City-t dhe Liverpool.

Top Channel