Edi Rama duhet të jepte dorëheqjen nga posti i kryeministrit sapo të lexonte raportin e DASH, që flet për mosndëshkimin e krimit dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë në Shqipëri, sipas kryetarit të komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj.
“Por shqiptarët as e kanë normal dhe as të zgjedhur me votë të lirë, por me votë të blerë nga non grata e grupet kriminale me të cilët ndan pushtetin prej 8 vitesh.
Nuk pritej që Edi Rama të thoshte asgjë tjetër veç batutave bajate me humor shterp për ti ikur thelbit të raportit: Qeveria e tij është e korruptuar në çdo qelizë të saj dhe ai e ka pushtetin e vjedhur dhe ai vetë është koka e këtij korrupsioni.
Edi Rama nuk duhet të jetë pas një viti në qeveri, pasi do të thotë sërish se raporti i ardhshëm, është copy paste i vitit të shkuar. Peshku (i madhi) ka plasur me kohë sheshit, e po qelb dynjanë! Ashtu si plehrat rreth inceneratoreve. Njerëzia ka zënë hundët, kurse Rama ka zënë sytë”.
Rama e ka lexuar me humor raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit që e cilëson si plasje peshku dhe ka vënë në dyshim realizmin e këtij raporti, të cilin e ka quajtur jo vetëm kopje të atij të mëparshëm, por edhe të pasaktë, pasi sipas tij nuk pasqyron as arritjet që DASH ka thënë gjatë vitit.
Ky është reagim i parë i qeverisë për këtë raport, 24 orë pas daljes së tij. Më herët, raportin e ka përforcuar vetë Sekretari i Shtetit Blinken dhe ambasada amerikane. Një ditë para daljes së raportit, dy persona, mes tyre një ish-deputet i mazhorancës, u sanksionuan nga Departamenti i Thesarit. Edhe për këtë ngjarje, qeveria nuk ka akoma asnjë koment.
Top Channel