Armët kineze në Serbi, Vuçiç i përgjigjet Kurtit e Gjukanoviç: Unë ujk i vetmuar, ju hiena. Prej jush mbrohemi me ‘spray’ mushkonjash

13/04/2022 13:44

Përmes një video mesazhi, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i është drejtuar sot kryeministrit kosovar, Albin Kurti, si dhe presidentit malazez, Milo Gjukanoviç, duke i kërkuar që “ta lënë Serbinë rehat”. Kjo deklaratë e tij vjen pas kritikave që mori prej tyre për armatosjen e Serbisë nga Kina.

“Ne në Ballkan kemi mjaft nga këto kafshë madhështore dhe më mirë do ta pranoja gjithmonë rolin e një ujku të vetmuar, jo të hienës, të paturpshëm dhe të pamoralshëm, sado që të jenë tre, pesë, gjashtë, e ndonjëherë edhe 19. Më keq se hienat që duhet të japësh, respekti për gjakmarrjen, është të jesh një mizë mashtruesi, që rrotullohet rreth tyre dhe pret që ata të sjellin prenë e tyre dhe të tillë janë Kurti dhe Gjukanoviç”, ka thënë ai.

Vuçiç u ankua se lideri i Kosovës dhe ai i Malit të Zi po e dëmotojne Serbinë kur po e paraqesin si të rrezikshme për rajonin. Për më tepër, ai ironizoi duke thënë se sistemet anti-raketore i blejnë për mbrojtje nga armiku, duke shtuar se për t’u mbrojtur nga Kosova e Mali i Zi s’i nevojiten këto armë, por “spray i mushkonjave”.

“Sistemi jonë shërben për të shkatërruar raketa, aeroplan-mbajtëse ajrore që do të shkelte hapësirën ajrore të Serbisë. Pra, pyes veten se si e rrezikojmë Prishtinën, si po e rrezikojmë Podgoricën në këtë mënyrë? Për të bërë shaka, më mirë të kishim blerë sprej Autan sepse më e rëndësishme për ne është të mbrohemi nga mushkonjat dhe mizat sesa nga ndonjë forcë serioze ajrore që ata mund të kenë. Por t’i lëmë shakatë”. Vuçiç tha se blerja e armëve nga Kina ishte legjitime dhe transparente.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 12 prill se Qeveria është e shqetësuar që Serbia ka blerë armë nga Kina, por jo e frikësuar.

“Serbia më duket se ndodhet në një lloj paniku kur po e vëren që nuk mund të qëndrojë në tri-katër ulëse njëkohësisht. Ajo po përpiqet që të forcohet për vete, sepse ndoshta mund të ngelet e vetmuar. Armatosja e vazhdueshme e Serbisë nuk është e parrezikshme për rajonin dhe për Republikën e Kosovës, mirëpo në anën tjetër, është shprehje e frikës së tyre se mund të ngelen të vetmuar”, tha Kurti në një konferencë për media.

Presidenti malazez, Millo Gjukovanoviç, shpreh gjithashtu shqetësim për prokurimin e armëve kineze në Serbi.

“Kjo është një tendencë e vazhdueshme e armatimit të Serbisë me armë nga vendet që po shfaqen tani, jo vetëm si konkurrentë, por armiq të dukshëm të Evropës dhe NATO-s”, tha Gjukanoviç në Podgoricë më 12 prill, pas takimit me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Si Brukseli, ashtu edhe Uashingtoni, kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin e tyre për blerjet e armëve nga ana e Serbisë në Rusi dhe Kinë, sepse Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në BE, pritet të harmonizojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me bllokun evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA