Franca mban të dielën e 10 prillit rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. 12 kandidatë garojnë për të marrë presidencën, teksa Emmanuel Macron kërkon që të mbajë karrigen për një mandat të dytë dhe garën më të fortë e ka me Marine Le Pen.
Emmanuel Macron synon, atë që nuk ia ka dalë më asnjë president francez, prej 20 vjetësh, që kur Jacques Chirach u rizgjodh për një mandat të dytë., shkruan DW. Pas luftës në Ukrainë, u duk se ai ishte shumë pranë fitores. Francezët e shqetësuar u mblodhën rreth presidentit dhe vlerat e tij në sondazhe u rritën në 33%. Por Ditët e fundit gjendja ndryshoi. Vlerat e Macronit në sondazhe kanë rënë nën 30% dhe konkurrentja e tij, Marine Le Pen, populiste e djathtë po e ndjek këmba këmbës rivalin e saj.
Macron dhe Le Pen kanë pikëpamje shumë të ndryshme sa i përket politikës së jashtme dhe qasjes ndaj Rusisë, por edhe Bashkimit Evropian. Megjithatë Le Pen ka punuar shumë për ndryshimin e imazhit të saj në media, për ta bërë të harrohet e shkuara e saj ekstremiste e djathtë dhe të hiqej efekti negativ që kish lënë pas babai i saj, Jean-Marie le Pen, ish-kreu i Front National.
Le Pen tani as nuk do të dalë nga euro dhe as nga BE. Edhe në lidhje me presidentin Putin, që në vitin 2017 i huazoi fonde për fushatën e saj, ajo deklaroi se ka ndryshuar mendim. Nga ana tjetër, në lidhje me politikën e jashtme, ajo shprehet, se do një marrëdhënie normale me Rusinë, ashtu si me Britaninë e Madhe.
Edhe pse vlerat e dy kandidatëve kryesorë janë normalizuar, sondazhet e shohin Macron si fitues të raundit të dytë në fund të prillit. Por distanca në rezultate pritet të jetë më e vogël se para 5 vjetësh. Tani gjithçka varet nëse, Macron do t’ia dalë të mobilizojë votuesit, sepse ende shumë francezë janë të pavendosur. Kritikës së qeverisë polake, se ende vazhdon të mbetet në kontakt me Putinin, Macron iu kundërpërgjigj. “Unë i mbetem zgjedhjes sime, të flas më Rusinë (…) dhe unë nuk kanë qenë kurrë bashkëpunëtor (i Putinit), si disa të tjerë.” Nënkuptohej që fjala ishte për Marine Le Pen.
Shumë francezë e shohin si kompetent Macronin, por edhe si anëtar arrogant të elitës së urryer. Para se të bëhej president, ai kishte mbajtur postin e ministrit të Ekonomisë, por asnjëherë nuk kishte garuar për post publik.
Top Channel