Bizneset po vuajnë për punëtorë. Në dyqanet, baret dhe restorantet e ndryshme të kryeqytetit shikohen të afishuara tabelat që kërkojnë punëtorë të pakualifikuar. Gati 1 në 6 prej tyre i ka këto tabela
Për ekspertët e punësimit bizneset kanë vetëm një alternativë për të zgjidhur këtë problem thelbësor
Eksperti Erald Pashaj: Bizneset duhet të rrisin pagat që të mbajnë punëtorët dhe të krijojnë kushtet për ta. Dhe nuk po flas për rritje të ulët, por për diçka që të jetë e kënaqshme dhe të tërheqë njerëzit.
Problemi i mungesës së punëtorëve është shtyrë në këtë pikë nga disa faktorë .
Erald Pashaj: Ka disa faktorë për këtë. E para është se kemi kërkesë të brendshme dhe të jashtme për punëtorë. Kompanitë janë zhvilluar dhe duan të rrisin fuqinë e tyre punëtore, ndërkohë kemi dhe kërkesë nga jashtë. Ka njerëz që punojnë për kompani të huaja nga Shqipëria, ndërkohë kemi dhe punëtorët sezonalë që ikin në vendet kufitare. E dyta është emigracioni dhe e treta, plakja e popullsisë.
Tregu jonë i punës ka edhe karakteristika të tjera, ndërsa një grup i konsiderueshëm i njerëzve që nuk punojnë vjen si shkak i pasojave sociale
Pasha: Është një grup të cilët kategorizohen si të papunë afatgjatë. Ata prej një viti nuk futen në tregun e punës dhe është një grup i konsiderueshëm. Kryesisht përbëhet nga gratë shtëpiake, të cilat për shkak të mendësisë, sidomos në zonat rurale nuk punojnë.
Përtej të gjithë faktorëve, emigracioni është sëmundja që po shteron me shpejtësi forcën punëtore. Në statistikat zyrtare janë 400 mijë njerëz që kanë emigruar në dhjetëvjeçarin e fundit, gati 40 mijë individë në vit. Kjo shumë është alarmante për një popullsi prej 2.9 milionë banorësh, ndërsa një projeksion i kryer nga The Economist vitin e kaluar tregon se trendi i tkurrjes do të vazhdojë.
Top Channel