Louie dhe Qazim Suljovic, shqiptarë nga Mali i Zi janë plagosur të shtunën e javës së kaluar teksa përpiqeshin të shpëtonin të moshuarën nga grabitësit. Qazim është në kujdesin e mjekëve ndërsa Louie ka dhënë një intervistë për “Shqipëria Live” duke treguar detajet e ngjarjes së rëndë.
“Ishte një ditë normale, ishim duke punuar dhe dëgjova një ulërimë e pashë babain që po vraponte drejt zonjës dhe unë e ndoqa për ta ndihmuar dhe të gjithë njerëzit po bërtisnin, ju lutem ndihmoni këtë gruan që po e vjedhin. Babai u përpoq ta mbronte, t’i hiqte thikën nga dora sulmuesit, por ai u godit disa herë me thikë në shpinë. Unë dhe ai pësuam goditje të shumta me thikë në mushkëri dhe kurriz. Është e rëndësishme që asnjëri nuk vdiq”, tregoi Louie.
E moshuara u tha policëve se të dyshuarit i ishin afruar asaj nga prapa dhe pasi e kishin shtyrë ia kishin grisur çantën me thikë.
Babë e bir morën vlerësime nga Këshilli bashkiak, ndërkohë që për ta është hapur dhe një fondacion në GoFoundMe, për të ndihmuar në shërimin e Qazimit.
“Louie dhe babai i tij janë ndër qytetarët më të mirë që ka New Yorku. Ne i falënderojmë ata për trimërinë e tyre dhe iu urojmë shërim të shpejtë”, shkroi në Twitter policia amerikane.
Top Channel