Disa fshatra të Njësisë Asministrative Shishtavec, kanë mbetur të izoluar për shkak të shembjes së urës së Shtrezës, në aksin Kukës-Shishtavec.
Përfaqësues të Bashkisë, policisë rrugore dhe të ARRSH kanë bërë bllokimin e rrugës duke mos lejuar lëvizjen e mjeteve për shkaqe sigurie.
Shembja e urës ka ardhur si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që kanë kanë gërryer trupin e urës tejet të amortizuar nga mungesa e investimeve. Tashmë ka nisur një vlerësim situate dhe ekspertët do të punojnë për një zgjidhje emergjente deri në një zgjidhje përfundimtare ndërsa deri në rregullimin e urës, banorët duhet të shfrytëzoje pikën e kalimit kufitar Shishtavec-Krusheve për të ardhur në Kukës.Ndërkohë e gjithë rruga Kukës-Shishtavec, ka prani të gurëve në trase si pasojë e reshjeve të shiut.
Aktualisht firma mirëmbajtëse po bën pastrimin e këtij aksi. Sakaq, reshjet e shiut në 24 orët e fundit kanë shkaktuar problematika në shumë akse nacionale dhe rurale në qarkun e Kukësit. Problemet janë shënuar veçanërisht në rrëshqitjen e dherave dhe gurëve në akset Kukës-Qaf Mali, Kukës-Peshkopi, Tropojë-Lekbibaj, Tropojë-Valbonë etj. Këshillohet që përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes në lëvizje, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështisë në rrugë.
Top Channel