Zv.ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci ka bërë raportimin e përditshëm gjatë orëve të fundit mbi situatën e gripit të shpendëve duke thënë se nuk ka asnjë rast pozitiv.
Ermira Gjeci: Për situatën e gripit të shpendëve nuk kemi pasur asnjë rast të ri pozitiv. Po ashtu nuk kemi pasur denoncime. Në të gjithë territorin, vijon procesi i eliminimit dhe groposjes së shpendëve të ngordhur duke zbatuar rregullat e mirëqenies së kafshëve.
Vijon monitorimi i situatës me kontrolle në ferma. Nga kontrollet për monitorim, situata paraqitet e shëndetshme. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po vijon kontrollet në të gjithë vendin dhe nuk janë konstatuar shkelje.
Po vijon bashkëpunimi me njësitë e bashkëqeverisjes vendore për ndalimin e tregtimin të gjësë së gjallë në ambiente të pamiratuara. Aktualisht nuk kemi asnjë rast të ri, janë marrë masat e lëvizjes së shpendëve nga ferma në fermë. Po kryejmë monitorimin e vazhdueshëm me qëllim marrjen e masave kufizuese në vend.
Jemi në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë territorin. Ushqimet në tregun tonë janë të sigurta për konsumatorin, nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe i vezëve.
Kur u pyet për pastrimin e plotë nga infeksioni, Gjeci u shpreh se ka ende kafshë të gjalla që duhet të eliminohen në kompleksin në Xhafzotaj dhe më pas të groposen, proces i cili merr 5-6 ditë kohë.
Ermira Gjeci: Ne jemi në procesin në kompleksin në Xhafzotaj që është proces i gjatë, ka kafshë ende të gjalla që kanë destinacion eliminimin e tyre dhe procedura kërkon që të eliminohen gradualisht dhe të groposen, në të kundërt shkaktojnë problematika.
I gjithë procesi i groposjes merr kohë, nga 5-6 ditë. Lidhur me vatrat e tjera, janë të pastruara, kanë numër të vogël të ngordhjeve por duhet të vijojnë me protokollin e dizenfektimit.
Pyetje: Kur do të fillojë procesi i dëmshpërblimit?
Ermira Gjeci: Hetimi epidemiologjik do të shohë të gjithë ecurinë dhe më pas do dilet në konkluzion, por imediate është shuarja e vatrave. Duam të ndalojmë përhapjen e sëmundjes në ferma të tjera. Ne jemi të fokusuar që të minimizojmë sa më shumë përhapjen në fermat shqiptare. Ne jemi në monitorim të vazhdueshëm, të kemi rezultate dhe të kuptojmë situatën. Është proces që do zgjasë, nuk është se u mbyll.
Top Channel