Këtë të diel shënohen 25 ditë që prej fillimit të luftës në Ukrainë nga Rusia. Rezistenca e lartë e Ukrainës ka bërë që Rusia të rrisë bombardimet në shumë qytete, kryesisht në Mariupol dhe Kiev. Sot Ukraina është zgjuar me një sulm në një shkollë arti në Mariupol, e cila strehonte brenda 400 civilë. Besohet se shumë persona kanë mbetur nën rrënoja. Nga ana e tij, Zelensky ka thënë se sulmet e ushtrisë ruse do të futen në histori si krime lufte
22:00 Luftë për Mariupolin, rusët i kërkojnë Ukrainës ta dorëzojë. Vazhdon rezistenca
Mariupoli ka qenë qyteti ku janë fokusuar luftimet në Ukrainë këtë të diel. Sipas raportimeve ushtria ruse ka goditur sërish civilë. Objektivi kësaj radhe ishte një shkollë që strehonte të paktën 400 persona.
Po ashtu autoritet ukrainase thonë se si pasojë e sulmeve u shkatërrua edhe fabrika metalurgjike e Azovstal, një nga më të mëdhatë në Europë. Ky sulmi i radhës në Mariupol vjen pas atij që iu bë teatrit në qendër të qytetit ku strehoheshin me mijëra vetë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelesnky i ka cilësuar sulmet si krime lufte. Për sulmet ka reaguar edhe sekretarja e jashtme britanike Lizz Truss, duke u shprehur se kishte ngelur e tronditur nga goditja e civilëve. “Putin është duke përdorur masa dëshpëruese, sepse nuk po i arrin objektivat e tij. Regjimi i tij do të mbajë përgjegjësi.”
Ndërkohë agjencia Reuters shkruan se Gjeneralkoloneli Mikhail Mizintsev, drejtori i Qendrës Kombëtare Ruse për Menaxhimin e Mbrojtjes, i ka bërë thirrje rezistencës ukrainase në Mariupol që të dorëzojë armët.
21:30 Gazetarja ruse që protestoi në televizion: Është lufta e Putinit, jo e popullit rus
Gazetarja Marina Ovsyannikova, e cila ndërpreu transmetimin e lajmeve për të protestuar kundër luftës në Ukrainë tha se veprimi i saj erdhi pasi nuk i pëlqeu propaganda e qeverisë së Vladimir Putin.
Në një intervistë të diel, zbuloi se kishte refuzuar ofertën për azil në Francë, pavarësisht frikës nga hakmarrja e mëtejshme.
“E dini, para së gjithash, dua t’u them të gjithëve: populli rus është me të vërtetë kundër luftës. Është lufta e Putinit, jo lufta e popullit rus,” i tha ajo prezantuesit George Stephanopoulos në “This Week” në ABC.
Teksa forcat ukrainase vijojnë të kërcënojnë kryeqytetin ukrainas Kiev, një banor i zonës ka kthyer teatrin në një strehë për komunitetin. Alex Porovensky tha për BBC se rreth 25 persona po strehohen atje.
“Tani jemi si familje e madhe, çdokush njeh çdokënd, Unë i di historitë e tyre personale, i njoh historitë e fëmijëve të tyre, të gjithë janë të bashkuar”, tha ai. Pavarësisht kaosit që i rrethon, ai dhe miqtë e tij po shpërndajnë furnizime në zonat përreth dhe teatri po vazhdon provat për një shfaqje.
“Arti nuk mund të ndalohet, pavarësisht se çfarë ndodh”, tha Porovensky.
20:00 Kryeministri britanik premtoi vazhdimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën
Kryeministri britanik Boris Johnson, në një bisedë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, të dielën pasdite, më 20 mars, premtoi mbështetje të vazhdueshme ushtarake për Ukrainën.
“Kryeministri theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për të punuar me partnerët ndërkombëtarë, për të koordinuar mbështetjen për forcimin e vetëmbrojtjes së Ukrainës”, thuhet në një deklaratë nga zyra e kryeministrit britanik.
Më deklaratë, gjithashtu thuhet se të dy udhëheqësit theksuan rëndësinë e sanksioneve për ushtrimin e presionit ndaj Putinit, si dhe dënuan sulmet ndaj civilëve të pafajshëm pas sulmit në Mariupol.
19:30 Ministri i Jashtëm turk: Turqia dëshiron pavarësinë e Ukrainës
Ministri i jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu tha se Turqia dëshiron të njihet pavarësia e Ukrainës dhe po punon shumë për të arritur paqen.
Ndër të tjera thotë se Turqia ka lidhje të forta me Ulrainën dhe Rusinë. Për këtë arsye, lufta po prek edhe Turqinë, ashtu si shtetet e tjera të botës.
“Ne e kundërshtuam fuqishëm aneksimin e Krimesë në vitin 2014. Nëse bota do të kishte dhënë përgjigjen e duhur ndaj aneksimit të Krimesë, atëherë ne nuk do të ishim në këtë situatë sot”, shtoi Çavuşoğlu.
19:00 Kryeministrja e Estonisë: Putini nuk duhet ta fitojë këtë luftë
“Putini nuk duhet ta fitojë këtë luftë,” tha kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas duke thënë se është dëshpëruese të shohësh se çfarë po bën Rusia në Ukrainë.
“Ne po përpiqemi të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur dhe ndihmuar Ukrainën për këtë luftë. Putini nuk duhet ta fitojë këtë luftë”, tha Kallas.
18:00 Rusia e konfirmon: Zv.komandanti i flotës ruse vritet në Ukrainë
Zyrtarët rusë kanë konfirmuar se është vrarë zëvendëskomandanti i flotës ruse të Detit të Zi, Andrei Paly, gjatë luftimeve në Mariupol.
Më parë, Ukraina raportoi se kishte një tjetër humbje për Putinin. Vdekja e Paly u konfirmua fillimisht nga sekretari i kolegjit detar Nakhimov, Konstantin Tsarenko, në rrjetin social Vkontakte (VK).
17:43 Protestë në Ukrainë/ Ushtria ruse acarohen nga kënga dhe sulmojnë ukrainasit
Protestuesit ukrainas janë përplasur me forcat ruse në Berdyansk, ku u arrestuan 2 persona. Sipas CNN protestuesit ukrainas kanë nisur të këndojnë pranë një shëtitoreje kjo gjë ka acaruar ushtarët rusë duke nisur me arrestimet. Ushtarët rusë i kanë lidhur duart pas shpine të arrestuarve, ndërsa njërin prej tyre e kanë goditur vazhdimisht.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i është drejtuar deputetëve në parlamentin e Izraelit duke bërë krahasim mes pushtimit rus dhe Luftës së Dytë Botërore. “Është një luftë që synon shkatërrimin e popullit tonë, shkatërrimin e fëmijëve tanë, familjeve, shtetësisë, qyteteve, kulturave dhe gjithçkaje që i bën ata ukrainas. Kjo është arsyeja pse unë kam të drejtë të bëj këtë krahasime në histori”, tha Zelensky. Presidenti i Ukrainës shtoi se Partia Naziste, e njohur si NSDAP, ishte nisur në Gjermani 102 vjet më parë më 24 shkurt, data e këtij viti kur Rusia nisi forcat për të pushtuar Ukrainën. “Ata po i thonë sërish fjalët ‘zgjidhja përfundimtare’ në lidhje me ne, kombin ukrainas… u tha në një takim në Moskë”, tha Zelensky. Ai i kërkoi Izraelit të ndihmojë rezistencën e popullit ukrainas kundër ushtrisë ruse.
17:18 Shtëpia e Bardhë: Biden nuk do të udhëtojë drejt Ukrainës këtë javë
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se presidenti amerikan Joe Biden “nuk ka plane” të udhëtojë drejt Ukrainës, pasi do të zhvillojë në Europë mbledhje urgjente për shkak të luftës. Joe Biden u ka kërkuar shteteve të mbështesin Ukrainën në këto ditë të vështira pasi agresioni rus nuk ka reshtur për 25 ditë. “Udhëtimi do të përqendrohet në vazhdimin e thirrjes për mbështetje të popullit ukrainas dhe kundër pushtimit të Ukrainës nga presidenti Putin, por nuk ka plane për të udhëtuar në Ukrainë”, tha ajo në një postim në Twitter.
16:46 Pas 10 ditësh i bllokuar në Mariupol, konsulli grek kthehet në Athinë: Po kryhen krime lufte
Konsulli grek i Mariupolit, Manolis Androulakis, është rikthyer në Athinë , pas 10 ditësh i bllokuar në zyrat e OSBE në qytetin e pushtuar nga rusët. Ai ishte diplomati i fundit i huaj që u largua pas shumë peripecish nga ky qytet së bashku me stafin e tij ,nëpërmjet një korridori të hapur për të dhe për 80 persona të tjerë, ndërsa bombardimet vazhdonin. Pak para nisjes për në Athinë, në një intervistë për gazetarin e Top Channel Artur Bibe, në aeroportin e Bukureshtit, ai tha se ajo që po ndodh në Mariupol është një krizë e madhe humanitare.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i tha të dielën CNN se është i gatshëm të negociojë me presidentin rus Vladimir Putin, por paralajmëroi se nëse përpjekja për negociata dështon, kjo mund të nënkuptojë se lufta midis dy vendeve do të çojë në “një Luftë të tretë Botërore”.
14:58 Papa thirrje për armëpushim: Jepini fund kësaj lufte të neveritshme
Papa Françesku përdori bekimin dhe fjalimin e tij të së dielës në qytetin e Vatikanit për të thënë se konflikti në Ukrainë ishte një masakëe e pajustifikuar. Gjatë fjalës së tij, Papa u bëri thirrje liderëve të ndalojnë “këtë luftë të neveritshme”. “Agresioni i dhunshëm kundër Ukrainës për fat të keq nuk po ngadalësohet”, u tha Papa mijëra njerëzve që ishin mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit.
14:53 Avionët ushtarakë ukrainas fluturojnë pa pengesa
Avionët ushtarakë ukrainas që fluturojnë mbi vend tregojnë se Rusia nuk ka kontroll mbi qiejt pasi lëvizin ngadalë dhe pa pengesa mbi Ukrainë, duke mbështetur nocionin se Rusia nuk ka kontroll mbi hapësirën ajrore të vendit, sipas CNN. Një analist sigurie që udhëtonte me CNN vuri re se avionët nuk po fluturonin me shpejtësi të lartë, duke treguar se ata nuk ishin përfshirë në një sulm dhe për këtë arsye ishin ukrainas.
14:32 Lënë pas terrorin, 10 milionë ukrainas braktisin vendin e tyre
Të paktën 10 milionë ukrainas kanë braktisur vendin e tyre, duke lënë pas terrorin e shkaktuar nga Rusia. Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Filippo Grandi, tha në Twitter se 10 milionë njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre në Ukrainë si rezultat i pushtimit të Rusisë, më shumë se një e katërta e popullsisë.
14:32 UNICEF: Miliona fëmijë të zhvendosur nga lufta e Rusisë në Ukrainë
Zëdhënësi i UNICEF tha se 1.5 milionë fëmijë janë larguar nga Ukraina për t’i shpëtuar luftës. Pjesa më e madhe e të larguarve janë strehuar në vendet fqinje. “Të paktën 1.5 milionë fëmijë janë larguar nga Ukraina për shkak të sulmeve ruse”, tha Joe English, zëdhënës i UNICEF.
14:12 Mariupol, mijëra ukrainas merren me forcë nga qytet
Zyrtarët ukrainas nuk kanë bërë ende të ditur numrin e të vdekurve pas një sulmi me raketa ruse të premten në një bazë ushtarake ndërsa ushtarët po flinin në kazerma tashmë të shkatërruara plotësisht. Baza ndodhet në qytetin jugor të Ukrainës Mikolaiv. “Nuk na lejohet të themi asgjë sepse operacioni i shpëtimit nuk ka përfunduar dhe familjet nuk janë njoftuar të gjitha”, tha zëdhënësja e ushtrisë Olga Malarchuk për agjencinë France-Presse.
14:02 Tanku rus godet shtëpinë e të moshuarëve në qytetin lindor të Ukrainës, 56 të vdekur
Një tank rus ka qëlluar një shtëpi të moshuarish në qytetin lindor të Ukrainës, Kreminna, sipas kreut të administratës civile ushtarake të Luhansk. Zyrtari Serhiy Hayday tha se forcat ruse hapën zjarr duke vrarë 56 banorë.
13:32 Zyrtarët amerikanë: Rusia lëshoi raketa hipersonike kundër Ukrainës
Ushtria ruse pohoi se kishte nisur një seri sulmesh ndaj objektivave ushtarakë në Ukrainë, duke përdorur raketa hipersonike të cilat konsiderohen më të manovrueshme se raketat konvencionale dhe janë më të afta të shmangin përgjimin nga mbrojtja ajrore. Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes Igor Konashenkov tha në një deklaratë se raketat e lundrimit Kalibr u lëshuan nga Deti Kaspik dhe raketat hipersonike Kinzhal u lëshuan mbi hapësirën ajrore në Krime.
13:23 Tjetër goditje për Putinin! Ukraina vret një oficer të lartë marinës ruse
Ukraina thotë se ka vrarë një oficer të lartë të marinës ruse.Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës shkroi në Facebook se kapiteni i rangut të parë Andrey Paliy, u vra nga forcat ukrainase gjatë luftimeve intensive, megjithëse rrethanat rreth vdekjes së tij janë të paqarta dhe
12:53 25 ditë pushtim, bombardohet sërish Mariupoli. Zelensky: Rusia po kryen krime lufte
Në ditën e 25 të pushtimit të Ukrainës, qyteti i Mariupolit u sulmua sërish nga forcat ruse, të cilat shkatërruan një shkollë që strehonte të paktën 400 persona. Po ashtu autoritet ukrainase thonë se si pasojë e sulmeve u shkatërrua edhe fabrika metalurgjike e Azovstal, një nga më të mëdhatë në Europë. Deri më tani nuk dihet ende nëse ka viktima, por sulmi i radhës në Mariupol vjen pas atij që iu bë teatrit në qendër të qytetit ku strehoheshin me mijëra vetë.
12:47 25 ditë pushtim. Zelensky: Negociatat duhen, edhe pse janë të vështira
Ndërsa Ukraina ka hyrë në javën e 4 të pushtimit rus, presidenti Volodymyr Zelensky përsëriti thirrjen për bisedime me Rusinë për të ndalur luftën. “Jam i sigurt se negociatat nuk janë të lehta , por janë të rëndësishme sepse po flasim për jetë njerëzish. Ukraina gjithmonë ka qenë pro një zgjidhje paqësore, dhe jemi më të interesuar se kurrë për paqen. Sepse për ne ka rëndësi çdo jetë, çdo familje e shkatërruar. E dimë shumë mirë se Rusia ka fuqi të madhe ushtarake, raketa dhe bomba, por dua ti pyes qytetarët e rusisë , a kanë më kuptim për ju fjalët fëmijë, nënë dhe baba ?”, u shpr
12:40 Kina: Koha do tregojë se jemi në anën e duhur të historisë për Ukrainën
“Koha do ta dëshmojë se pozicioni i Kinës është në anën e duhur të historisë” sa i përket luftës në Ukrainë, kështu tha të dielën Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi. “Kina do të vazhdojë të bëjë gjykime të pavarura të bazuara në meritat e çështjes dhe me një qëndrim objektiv dhe të drejtë. Ne kurrë nuk do të pranojmë asnjë presion të jashtëm dhe gjithashtu do të kundërshtojmë çdo akuzë dhe dyshim të pabazuar kundër Kinës”, tha Wang Yi për gazetarët.
12:32 Turqia: Ukraina dhe Rusia janë afër marrëveshjes për çështjet “kritike”
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha më 20 mars se Ukraina dhe Rusia janë pranë arritjes së një marrëveshjeje për çështje “kritike” dhe shtoi se ai shpresonte për një armëpushim, nëse të dy palët nuk tërhiqen nga përparimi i arritur deri më tani. Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe presidenti rus, Vladimir Putin, e quajti “operacion të posaçëm ushtarak”, që siç tha, ka për qëllim çarmatimin e Ukrainës dhe pastrimin e shtetit nga “nacionalistët e rrezikshëm”. Por, Perëndimi dhe Ukraina kanë thënë se Putini ka nisur një luftë të paprovokuar.
10:48 Kur do të shkojnë në shkolla fëmijët ukrainas?
Ata e humbën vendlindjen, por shkollat gjermane po përpiqen tani që fëmijët refugjatë nga Ukraina të mos humbasin arsimin dhe të ardhmen e tyre. Një detyrë e vështirë edhe për shkak të pandemisë. Çdo ditë vijnë në stacionin e trenit në Berlin dhe në Këln fëmijë refugjatë që janë larguar vetëm nga Ukraina. Forcat vullnetare i gjejnë ata në platformat e stacionit, të heshtur dhe pa orientim. Shpesh me ndonjë lodër me vete. Sipas llogaritjeve, gati gjysma e refugjatëve ukrainas që mbërrijnë në Gjermani janë fëmijë në moshë shkolle.
10:03 Nuk ndalen bombardimet në Mariupol, shkatërrohet fabrika më e madhe e çelikut në Europë
Fabrika e hekurit dhe e çelikut në Mariupol, e njohur si “Azovstal”, është shkatërruar plotësisht nga bombardimet ruse. Drejtori i përgjithshëm i Azovstol tha në Telegram se fabrika u godit, por nuk specifikoi shkallën e dëmit. Ai tha se punëtorët e fabrikës kishin marrë masa sigurie që nga fillimi i luftës në mënyrë që ajo të mos përbënte një rrezik më të gjerë për banorët.
09:41 Lufta në Ukrainë mund të shkaktojë krizën më të madhe të refugjatëve në këtë shekull
Mes sulmeve me raketa dhe bombardimeve pas agresionit rus, më shumë se 3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina, që nga 16 marsi. Me këtë ritëm, paralajmërojnë zyrtarët nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët, eksodi mund të kapërcejë krizën siriane të vitit 2015. Numri i refugjatëve, sipas ekspertëve, pritet të jetë më i lartë, për shkak të vonesave në raportimin e numrave nga disa vende. Rreth 60% e refugjatëve ukrainas, ose mbi 2 milionë, kanë shkuar në Poloni. Të tjerët në Hungari, Moldavi, Rumani dhe Bjellorusi.
09:31 Ishin strehuar në bunkere, evakuohen 71 fëmijë jetimë nga Sumy në një zonë të sigurt
Autoritetet ukrainase thonë se kanë arritur të transferojnë 71 fëmijë nga një jetimore në Sumy në një zonë më të sigurtë. Foshnjat ishin strehuar në një bunker gjatë javëve të fundit. “Me mundësinë e parë për t’u evakuuar përmes korridorit humanitar, ne i morëm fëmijët nga jetimorja e specializuar në zonën e luftimit,” tha Dmytro Zhyvytskyi, guvernatori i rajonit.
09:22 Boris Johnson thirrje Kinës: Dënoni Rusinë, mos rrini duarkryq!
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson i ka kërkuar Kinës që të dënojë pushtimin e Rusisë. Në një intervistë për gazetën Sunday Times, Johnson tha se mbështetja e Rusisë është njësoj si zgjedhja e anës së gabuar në Luftën e Dytë Botërore, duke e përshkruar atë si një betejë midis së mirës dhe së keqes.
08:31 Rusia sulmon shkollën që strehonte 400 persona, njerëzit mbeten nën rrënoja
Autoritetet lokale në Mariupol thanë se forcat ruse kanë bombarduar një shkollë ku po strehoheshin 400 persona. Në një postim në Telegram, këshilli i Mariupolit tha se shkolla është shkatërruar dhe se banorët janë nën rrënoja. Sipas mediave të huaja, gra, fëmijë dhe të moshuar strehoheshin në këtë shkollë. Ende nuk dihet nëse ka viktima apo sa është numri i të plagosurve.
08:38 Zelensky: Terrori i Mariupolit do të hyjë në histori!
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dënoi bombardimet e pandërprera të Rusisë në Mariupol, qytetin port të rrethuar nga trupat ruse në juglindje. Gjatë komunikimit të tij mbrëmë vonë, presidenti tha se forcat ruse do të hynin në histori si përgjegjëse për “krimet e luftës”. “Ta bësh këtë ndaj një qyteti paqësor, ajo që bënë pushtuesit, është një terror që do të mbahet mend për shekujt e ardhshëm,” tha ai.
08:52 Papa Françesku viziton fëmijët ukrainas të plagosur nga lufta
Papa Françesku ka vizituar fëmijët ukrainas mbrëmjen e djeshme të cilët po trajtohen në një spital pediatrik në Romë. “Le të lutemi për ta… fëmijët në Bambino Gesu të plagosur nga lufta”, tha Papa Françesku të shtunën teksa iu drejtua një dëmijëve.Rreth 20 fëmijë ukrainas po trajtohen në dy degë të Spitalit Bambino Gesu për kancer, për sëmundje neurologjike ose lëndime të rënda lufte, të shkaktuara nga shpërthimet.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka dënuar bombardimin e pandërprerë të Moskës në Mariupol, qytetin port të rrethuar nga trupat ruse në juglindje, duke e quajtur atë “një terror që do të mbahet mend për shekujt në vazhdim”.
Zyrtarët e Mariupolit kanë thënë se forcat ruse bombarduan një shkollë ku strehoheshin 400 persona. Më herët të shtunën, zyrtarët thanë se forcat ruse po merrnin mijëra vendas nga qyteti jugor ukrainas në Rusi kundër vullnetit të tyre.
Këto zhvillime vijnë pas përleshjeve intensive në rrugët e Mariupolit të shtunën
Ministria e mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar, ndërkohë, thotë se Rusia nuk kishte arritur të fitonte kontrollin e ajrit dhe po mbështetet në armët e lëshuara nga hapësira e saj ajrore.
Vendet në mbarë botën po vazhdojnë të sanksionojnë Moskën, me Australinë që njoftoi masa të reja të dielën.
Më shumë se 3.3 milionë njerëz janë larguar nga konflikti, i cili ka vazhduar për më shumë se tre javë
Top Channel