Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dënoi bombardimet e pandërprera të Rusisë në Mariupol, qytetin port të rrethuar nga trupat ruse në juglindje.

Gjatë komunikimit të tij mbrëmë vonë, presidenti tha se forcat ruse do të hynin në histori si përgjegjëse për “krimet e luftës”.

Ta bësh këtë ndaj një qyteti paqësor, ajo që bënë pushtuesit, është një terror që do të mbahet mend për shekujt e ardhshëm,” tha ai.

Për më shumë se dy javë, qyteti ka pësuar bombardime që kanë ndërprerë të gjithë energjinë elektrike, gazin, ujin e rrjedhshëm dhe furnizimet e tjera. Sulmet ruse kanë goditur strehimoret e civilëve, një spital për fëmijë dhe maternitet, si dhe disa ndërtesa banimi.

Që prej fillimit të luftës, më shumë se 2,400 njerëz thuhet se janë vrarë në qytet.

Top Channel