Deti i trazuar përmbyt tragetin në Indonezi/ Operacion kërkimi për mbi 100 të zhdukur, 6 persona nxirren të pajetë
Një dron rus ka goditur një tren pranë kufirit Ukrainë-Poloni, pak pasi ish-kryeministri britanik Boris Johnson dhe zyrtarë të lartë europianë të sigurisë kishin kaluar nëpër të njëjtën linjë hekurudhore.
Sulmi ndodhi në zonën e Yahodyn, pranë kufirit me Poloninë, dhe goditi lokomotivën e trenit. Autoritetet ukrainase thanë se nuk pati viktima, ndërsa të gjithë pasagjerët u evakuuan.
Johnson dhe këshilltarë të tjerë europianë për sigurinë, mes tyre edhe zyrtari britanik Jonathan Powell, kishin kaluar në të njëjtën linjë me një tren tjetër, në kthim nga një konferencë në Kiev.
Rusia deklaroi se kishte goditur “infrastrukturën hekurudhore” në Ukrainën perëndimore. Ndërkohë, kompania shtetërore ukrainase e hekurudhave, Ukrzaliznytsia, tha se ishte e mundur që objektivi i dronit të kishte qenë treni diplomatik.
Sipas kompanisë hekurudhore, treni me zyrtarët europianë ishte nisur nga stacioni më herët se parashikimi fillestar, për shkak të ndryshimit të orarit dhe kërcënimit të vazhdueshëm nga sulmet ruse.
Autoritetet thanë gjithashtu se urdhri për evakuimin e pasagjerëve të trenit të goditur ishte dhënë vetëm 15 minuta para sulmit.
Në momentin e goditjes, në stacionin Yahodyn ndodhej edhe ish-drejtori i CIA-s, David Petraeus, i cili udhëtonte me një tjetër tren.
Autoritetet ukrainase dhe polake konfirmuan se droni rus goditi rreth dy kilometra larg kufirit me Poloninë.
Johnson: Sulm i pakuptimtë
Ish-kryeministri britanik Boris Johnson reagoi pas incidentit, duke e cilësuar sulmin si të pakuptimtë dhe duke kërkuar nga aleatët e Ukrainës që të forcojnë mbrojtjen ajrore të vendit.
Johnson tha se sulme të tilla ndaj infrastrukturës civile janë pjesë e realitetit me të cilin përballen ukrainasit çdo ditë.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha e cilësoi sulmin si “barbar” dhe tha se goditjet pranë kufirit me Poloninë tregojnë se kërcënimi rus po afrohet gjithnjë e më shumë drejt territorit të Bashkimit Europian dhe NATO-s.
Tusk mbledh qeverinë në Poloni
Në Poloni, kryeministri Donald Tusk zhvilloi një takim urgjent për të diskutuar situatën.
“Përshkallëzimi i veprimeve nga pala ruse po bëhet realitet dhe po afrohet gjithnjë e më shumë drejt kufirit tonë”, deklaroi Tusk.
Johnson dhe zyrtarët e tjerë europianë po ktheheshin nga konferenca Yalta European Strategy (YES), një aktivitet vjetor që mbledh në Kiev drejtues politikë, ekspertë të sigurisë, përfaqësues të biznesit dhe medias.
Rusia intensifikon sulmet ndaj infrastrukturës
Incidenti vjen në një kohë kur Rusia duket se ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës hekurudhore dhe objekteve të tjera strategjike në Ukrainë.
Në ditët e fundit janë raportuar sulme me dronë ndaj pikave kufitare, trenave dhe depove hekurudhore. Një punonjëse hekurudhore humbi jetën në një sulm ndaj një treni pasagjerësh në jug të Ukrainës, ndërsa gjashtë punonjës të hekurudhave u vranë më herët gjatë një sulmi ndaj një depoje në Kiev.
Rrjeti hekurudhor ukrainas është dëmtuar ndjeshëm gjatë luftës. Hekurudhat mbeten një nga mënyrat kryesore të transportit për miliona ukrainas, pasi trafiku ajror civil është pezulluar që prej nisjes së pushtimit të plotë rus në vitin 2022.
Ndërkohë, vendet europiane kanë raportuar edhe incidente të tjera të dyshimta në territorin e tyre, disa prej të cilave i kanë lidhur me aktivitetin rus. Moska i ka mohuar këto akuza.
Top Channel