Luftë për Mariupolin, rusët i kërkojnë Ukrainës ta dorëzojë. Vazhdon rezistenca

20/03/2022 22:55

 Mariupoli ka qenë qyteti ku janë fokusuar luftimet në Ukrainë këtë të diel. Sipas raportimeve ushtria ruse ka goditur sërish civilë. Objektivi kësaj radhe ishte një shkollë që strehonte të paktën 400 persona.

Po ashtu autoritet ukrainase thonë se si pasojë e sulmeve u shkatërrua edhe fabrika metalurgjike e Azovstal, një nga më të mëdhatë në Europë. Ky sulmi i radhës  në Mariupol vjen pas atij që iu bë teatrit në qendër të qytetit ku strehoheshin me mijëra vetë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelesnky i ka cilësuar sulmet si krime lufte.  Për sulmet ka reaguar edhe sekretarja e jashtme britanike Lizz Truss, duke u shprehur se kishte ngelur e tronditur nga goditja e civilëve. “Putin është duke përdorur masa dëshpëruese, sepse nuk po i arrin objektivat e tij. Regjimi i tij do të mbajë përgjegjësi.”

Ndërkohë agjencia Reuters shkruan se Gjeneralkoloneli Mikhail Mizintsev, drejtori i Qendrës Kombëtare Ruse për Menaxhimin e Mbrojtjes, i ka bërë thirrje rezistencës ukrainase në Mariupol që të dorëzojë armët.

Komentet e tij u bënë në një konferencë të shpërndarë nga ministria e mbrojtjes. Ministria ruse e mbrojtjes thotë se Ukraina ka kohë deri në orët e para të 21 marsit për të dhënë përgjigjen e saj për dorëzimin e Mariupolit, sipas agjencisë ruse të lajmeve RIA.

Ushtria ruse gjithashtu ka pranuar se në Ukrainë po përdor edhe raketa hipersonike. Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov u shpreh se raketat me teknologjinë moderne u përdorën për të shkatërruar një vend depozitim karburanti në jug të vendit.

Top Channel