Luftime të egra në rrugë, nuk nxirren dot njerëzit nga rrënojat e teatrit në Ukrainë!

19/03/2022 16:23

Luftime të ashpra po zhvillohen në rrugët e qytetit të rrethuar port të Mariupolit në Ukrainë, por ato, ashtu si dhe raketat ruse që nuk reshtin, janë duke vështirësuar se tepërmi përpjekjet për shpëtimin e njerëzve të bllokuar nën rrënojat e teatrit të bombarduar të mërkurën.

130 civilë janë arritur të nxirren prej andej, dhe fatmirësisht, deri tani në godinën e shkatërruar nuk janë gjetur viktima. Por në anën tjetër, nuk ekipet e ndërhyrjes së shpejtë nuk po arrijnë të nxjerrin më shumë të mbijetuar, ndërkohë që mendohet se në momentin e sulmit, në teatër po strehoheshin mbi 1000 persona, shumica gra e fëmijë.

Ndërtesa u bombardua megjithëse ishin vendosur shenja për të treguar se aty gjendeshin civilë, ndër ta edhe fëmijë.

Rusia mohon ta ketë goditur teatrin. Ndërkohë, Rusia bombardoi periferitë e Kievit të premten dhe raketat ruse të lëshuara nga Deti i Zi goditën Ukrainën perëndimore, pranë aeroportit të Lvivit, më shumë se tre javë pasi ka filluar lufta e Rusisë ndaj vendit fqinj. Komanda perëndimore e forcave ajrore të Ukrainës tha në Facebook se u interceptuan dy nga gjashtë raketat e lëshuara nga Deti i Zi.

Ndërsa sulmi hyn në javën e tij të katërt, forcat ruse nuk kanë arritur të marrin kontrollin e kryeqytetit Kiev, një objektiv kryesor i Kremlinit.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thonë se duket se forcat ruse në terren mbeten të bllokuara, duke bërë pak ose aspak përparim, ndërsa vazhdojnë të përballen me atë që është përshkruar vazhdimisht si një rezistencë e ashpër nga forcat ukrainase. Duke folur në kushte anonimiteti, një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane tha se forcat ruse në thelb të ngrira në të gjithë vendin, nuk po avancojnë e kanë vështirësi deri edhe të ushqehen e të furnizohen me armë dhe municione.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA