Dita 19-të e luftës! 4.000 civilë lanë sot Ukrainën, plagoset gazetari i “Fox News”/ Nesër rinisin bisedimet Kiev-Moskë

14/03/2022 22:30

Dita e 19-të e luftës në Ukrainë, ka kaluar me bombardime raketash në disa qytete, ndërkohë që në Kiev, ku u godit një bllok banesash dhe një autobus.

Një raketë ruse goditi një pallat, ku la të paktën dy persona të vdekur. Gjatë natës, katër persona u plagosën nga një sulm me raketa që synonte ndërtesat administrative në fshatin Stavische, në rajonin Zhytomyr.

Edhe një kullë televizive pranë Rivne në Ukrainën perëndimore ra pre e goditjes nga një raketë ruse, por nuk dihet nëse ka viktima. Gjithashtu gjatë ditës u sulmua një autobus duke lënë një të vrarë dhe plagosur të tjerë.

Raundi i katërt i bisedimeve përfundoi sërish pa një rezultat konkret mes dy palëve, ndërsa nesër do të rinisin bisedimet Kiev-Moskë. Sot të dyja palët shprehën optimizëm se mund të arrihet diçka konkrete mes tyre.

22:36 Mbi 4.000 civilë janë evakuuar nga Ukraina përmes 7 korridoreve humanitare

Më shumë se 4.000 civilë u evakuuan nga qytetet ukrainase që ndodhen në vijën e frontit të konfliktit këtë të hënë.Zëvendës/kryeministrja Iryna Vereshchuk, nëpërmjet një videoje ka deklaruar se evakuimet u kryen përmes shtatë korridoreve humanitare.

22:31 Kina do të ndihmojë Rusinë me armë? SHBA-ja pas shtatë orë bisedimesh: I dini pasojat!

Për shtatë orë SHBA zhvilloi bisedime “intensive” të nivelit të lartë me Kinën një përpjekje kjo për të penguar Pekinin të furnizojë me armë Rusinë, duke ja bërë të qartë pasojat e një lëvizje të tillë.

21:31 VOA: SHBA e sheh Putinin si të zemëruar, të irrituar dhe të prirur për të përshkallëzuar luftën

Pas më shumë se dy javësh nga fillimi i një lufte të cilën ai parashikonte ta dominonte brenda dy ditësh, Vladimir Putin po shfaq zemërim dhe zhgënjim nga dështimet e ushtrisë së tij dhe një gatishmëri për të shkaktuar edhe më shumë dhunë dhe shkatërrim në Ukrainë, sipas vlerësimit të zyrtarëve të zbulimit amerikan.

20:19 Erdogan pret kancelarin gjerman Scholz në Ankara

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka pritur sot kancelarin gjerman Olaf Scholz që erdhi për një vizitë zyrtare në Ankara. Kjo është vizita e parë zyrtare e Scholz në Turqi që prej ardhjes në zyrë në dhjetor 2021, dhe bisedimet u fokusuan në luftën në Ukrainë. Ankaraja është duke luajtur një rol ndërmjetësues dhe ka lidhje direkt me dy palët ndërluftuese.

 20:00 Plagoset gazetari i “Fox News” në Kiev

Një gazetar i medies Fox News është plagosur jashtë Kievit, raportoi media në fjalë. Sipas tyre ka ende shumë pak detaje për ngjarjen, por ekipet në terren po punojnë për të marrë më shumë informacion. Raportet vijnë pasi faqja në Facebook e Prokurores së Përgjithshme të Ukrainës, Irina Venediktova, njoftoi të hënën se një gazetar britanike është plagosur rëndë në Ukrainë dhe aktualisht ndodhet në “kujdes intensiv nën mbikëqyrjen e mjekëve”.

20:00 Paqe përmes muzikës, pianisti luan në kufirin ukrainas

Davide Martello, një pianist gjerman, luajti në piano pranë kufirit ukrainas në qytetin polak Medyka për të përhapur mesazhin e paqes përmes muzikës. Davide është i njohur për performancat e tij në zonat e luftës. Nga Afganistani në Ukrainë, Davide ka bërë emër duke sjellë qetësi përmes muzikës në zonat ku ka konflikte.

19:30 2.8 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina, OKB: Eksodi më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore

Numri i njerëzve që kanë lënë Ukrainën si pasojë e luftës që nga 24 shkurti ka arritur në 2.8 milionë. Të dhënat e organizatës së Kombeve të Bashkuara tregojnë se kjo është kriza  më e madhe e refugjatëve që nga lufta e dytë botërore. Sipas BE ky numër shumë shpejt mund të shkojë deri në 5 milion.  Vendet në kufij si Polonia, kanë pritur më shumë se gjysmën e të larguarve, po ashtu edhe Sllovakia, Rumania, Hungaria dhe Moldova, kanë pritur një numër të madh të refugjatëve.

19:08 Momenti kur Kievi pushtohet nga zhurma e sirenave të bombardimeve

Top Channel ka siguruar pamje kur Kievi pushtohet nga zhurma e sirenave të bombardimeve.
Sipas gazetarit të Top Channel, Artur Bibe sirena ra pasi në zonën Obolon, ku u bombardua në mëngjes pati një shpërthim rakete në një qendër tregtare. Shpërthimi u dëgjua deri në qendër, ndërsa për momentin nuk raportohen viktima. Zona Obolon është në veri të kryeqytetit, ndërsa dyshohet se po tentohet të hyet në atë zonë për ta rrethuar tërësisht Kievin.

18: 25 Trupat ruse shpërthejnë municione në termocentralin Zaporizhzhya

Trupat ruse kanë hedhur në erë municione pranë termocentralit bërthamor të Zaporizhzhya në Ukrainë.  Sipas BBC, kompania e Energjisë Bërthamore të Ukrainës, Energoatom thotë se nuk është ende e qartë nëse nivelet e rrezatimit janë prekur nga shpërthimi.

18:20 Papa dërgon kardinalin në Ukrainë, do të ndjekë situatën me refugjatët e luftës

Kardinali i Vatikanit do të udhëtojë sërish drejt Ukrainës, me kërkesë të Papa Françeskut. Kardinali Michael Czerny do të vizitojë kufirin ukrainas me Sllovakinë për të “treguar mbështetjen e Atit të Shenjtë për ata që po vuajnë pasojat e luftës”, tha këtë të hënë zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni.

17:05 Ukraina lëngon! Dita e 19-të e luftës përmes fotove

Qytetet më të mëdha të Ukrainës tashmë janë shkatërruar, ndërsa vendasit po largohen nga vendi. Më shumë se 2.5 milionë refugjatë janë larguar nga atdheu i tyre që nga fillimi i agresionit rus më 24 shkurt, sipas OKB-së. Bisedimet midis dy palëve vijojnë, edhe pse pa një rezultat konkret, ndërsa Ukraina që kërkon një armëpushim të menjëhershëm. Më poshtë janë disa prej pamjeve të rënda të cilat tregojnë disa prej zonave të prekura nga sulmet ruse, në ditën e 19-të të luftës.

16:45 Pamjet me dron nga Mariupoli! Ndërtesa të djegura, tymi pushton qiellin

Qyteti port i Ukrainës, Mariupoli, është bombarduar vazhdimisht nga sulmet ruse. Pamjet e fundit të kapura nga një dron mbi qytet tregojnë dhjetëra ndërtesa të djegura dhe rrugë të goditura nga granatimet. BBC ka arritur të publikojë pamjet me dron të një pjese të qytetit të bombarduar.

16:35 Nesër rinisin bisedimet Kiev-Moskë!

Bisedimet Kiev-Moskë rinisin nesër, ky është vendimi gjatë takimit online të kësaj të hëne. Në raundin e katërt të negociatave mes Kievit dhe Moskës, të dyja palët shprehën optimizëm se mund të arrihet një gjë konkrete mes tyre.

16:15 Elon Musk sfidon Putinin

Miliarderi amerikan i teknologjisë, Elon Musk ka sfiduar presidentin rus Vladimir Putin në një ‘luftë’ kokë më kokë, duke sugjeruar që fituesi të vendosë për fatin e Ukrainës. Politikanët ukrainas deri më tani e kanë mirëpritur ofertën. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, vetë një ish-boksier  u përgjigj me tre emoji.

16:10 Mbi 2.8 milionë ukrainas kanë lënë vendin

Mbi 2.8 milionë ukrainas kanë lënë vendin gjatë 19 ditëve të luftës. Ata janë larguar drejt vendeve fqinjë, kryesisht drejt Polonisë. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, një agjenci e OKB-së, çdo minuta ka njerëz që po i ikin luftës. Sipas UNICEF-it, lufta në Ukrainë ka një “ndikim shkatërrues” në më shumë se 7.5 milionë fëmijë. Në ditën e 19-të të luftës në Ukrainë, Kievi është zgjuar me bombardime me raketa dhe eksplozivë, duke shkatërruar një bllok banesash. Një raketë ruse godit një godinë banimi dhe la të paktën dy persona të vdekur. Lajmi u konfirmua edhe nga Këshilltari i ministrisë së brendshme të Ukrainës, Anton Gerashchenko.

16:09 Varrezat masive kthehen në disa qytete të shkatërruara nga lufta në Ukrainë

Për shkak të bombardimeve ruse, disa qytete në Ukrainë, janë detyruar të varrosin viktimat e luftës në varre masive dhe për fat të keq një pjesë e tyre nuk janë identifikuar. “Ne nuk mund t’i varrosim viktimat në varre private, pasi trupat e pajetë janë jashtë qytetit dhe i gjithë perimetri kontrollohet nga trupat ruse”, tha nënkryetari i Bashkisë së Mariupolit, Serhiy Orlov. Për gati dy javë, Mariupol, një qytet strategjik për shkak të portit është goditur çdo ditë nga raketat dhe predhat ruse. Mijëra banorë, të gjendur pa ushqim dhe ujë, janë fshehur nëpër bodrume.

14:39 Kievi: Bisedimet të vështira, por po avancojmë/ Moska, jo më ultimatume

Kievi e përshkruan si të vështirë raundin e katërt të bisedimeve, që këtë herë zhvillohet në formen e video-konferencës, megjithatë negociatorët thonë se po avancojnë. Zv/shefi i kabinetit të presidentit Volodymir Zelensky, Ihor Zhovkva e përshkruan si pozicionin e Moskës si më konstruktiv nga sa ishte më parë. “Në vend që të na japin ultimatume apo të tregojnë vijat e kuqe, apo ti kërkojnë Ukrainës kapitullimin, duken më të pritur drejt negociatave konstruktive”, u shpreh ai.

14:36 Rusia mohon t’i ketë kërkuar Kinës ndihmë ushtarake

Rusia mund të marrë kontrollin e plotë të qyteteve të mëdha të Ukrainës dhe ka fuqi të mjaftueshme ushtarake për të përmbushur të gjitha synimet e saj në Ukrainë pa ndonjë nevojë për ndihmë nga Kina. Kështu kanë bërë me dije zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. Ky i fundit për agjencinë e lajmeve ndërkombëtare “Reuters” tha se trupat ruse mund të marrin “qendrat kryesore të popullsisë nën kontroll të plotë” në Ukrainë. I pyetur nga Reuters në lidhje me komentet e zyrtarëve amerikanë që kishin thënë se Rusia i kishte kërkuar Kinës pajisje ushtarake, Peskov i mohoi kategorikisht këto pretendime.

13:42 Lufta mbyllet për disa ditë? Rinisin me shpresa të reja bisedimet Rusi-Ukrainë

Raundi i katërt i bisedimeve Rusi-Ukrainë nisi ndryshe sot, me palët që kanë komunikuar me njëra-tjetrës në tryeze përmes një lidhjeje video. Ka shpresa për progres diplomatik, siç e dëshmojnë qartë dhe pohimet e negociatorit ukrainas  Mykhailo Podolyak, i cili u shpreh më herët se Moska ka nisur të flasë tashmë në një mënyrë më konstruktive. “Besoj se brenda disa ditësh, do të mund të arrijmë rezultate te prekshme”, u shpreh ai.

12:16 2500 viktima nga bombardimet ruse në Ukrainë

Numri i personave që humbën jetën në Mariupol, një qytet port në Ukrainën jugore, i rrethuar dhe i bombarduar nga trupat ruse që nga fillimi i luftës ka shkuar në 2 mijë e 500 të vrarë. Ky numër tragjik viktimash u bë me dije nga Oleksiy Arestovych, këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. “Kjo është një katastrofë të cilës bota nuk i ka dhënë një vlerësim të duhur”, theksoi ai. Sipas tij, të dhënat janë mësuar nga administrata komunale e Mariupolit, ndërsa më tej akuzoi Rusinë për pengimin e mbërritjes në qytet të ndihmave humanitare.

11:39 Predhat ruse shënjestrojnë autobusin në Kiev, raportohet për një viktimë

Raketat ruse të hënën kanë goditur një autobus elektrik në Kiev, ndërsa raportohet se një 59-vjeçar ka ndërruar jetë. “Forcat ruse sapo goditën me një raketë autobusin rus, brenda qytetit të Kievit, është shkatërruar çdo gjë. Rusët kanë filluar të godasin objektivat civile. Krateri është shumë i madh”, tregon gazetari Artur Bibe, i cili prej disa ditësh ndodhët në Ukrainë.  Nga pamjet e publikuara shihen njolla gjaku, ndërsa deri më tani është raportuar vetëm për një viktimë. Edhe këtë të hënë forcat ushtarake ruse sulmuan me raketa kryeqytetin e Ukrainës, Kiev. Në shënjestër fillimisht u vu uzina aeronautike Antonov, ku sipas burimeve ukrainase të paktën dy persona vdiqën.

11:12 90 fëmijë janë vrarë në Ukrainë

Nëntëdhjetë fëmijë janë vrarë dhe më shumë se 100 janë plagosur në Ukrainë që nga sulmi i Rusisë më 24 shkurt. Kështu ka deklaruar të hënën zyra e prokurorit të përgjithshëm ukrainas. “Numri më i madh i viktimave është në rajonet e Kievit, Kharkiv, Donetsk, Chernihiv, Sumy, Kherson, Mykolayiv dhe Zhytomyr”, thuhet në një deklaratë. Agjencia e lajmeve ndërkombëtare “Reuters” raportoi se nuk mund ta verifikonte menjëherë informacionin.

10:12 Zelensky kërkon dialog direkt me Putinin

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky këmbëngul për bisedime të drejtpërdrejta me presidentin rus, Vladimir Putin. Disa organizata të OKB dënojnë sulmet ruse kundër spitaleve. “Delegacioni ynë ka një detyrë të qartë, të bëjë gjithçka për të mundësuar një takim me presidentin”, deklaroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në një fjalim me video të publikuar të hënën. Ky do të jetë një takim, për të cilin ai është i sigurtë, se e presin të gjithë, ka thënë Zelensky, duke theksuar, se kjo është një rrugë e vështirë, por e nevojshme për të marrë garanci të efektshme.

09:39 Rusia bombardon aeroportin më të rëndësishëm në Kiev

Aeroporti Antonov, i pozicionuar në veri të Kievit, është goditur nga bombardimet ruse mëngjesin e kësaj të hëne. Antonov, i njohur gjithashtu si Hostomel, është aeroporti më i rëndësishëm ndërkombëtar i mallrave në Ukrainë, si dhe një bazë ajrore kryesore ushtarake.

09:18 Forcat ruse bombardojnë një pallat 9 katësh në Kiev, raportohet një i vdekur

Një pallat është sulmuar nga forcat ruse në Obolon të Kievit. Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës thotë se dy trupa u gjetën dhe tre persona u dërguan në spital në grevë në orën 07:40 me orën lokale të mëngjesit të sotëm.

09:16 Rusia dyshohet se i kërkoi ndihmë ushtarake, reagon Kina

Zëdhënësi i Ambasadës Kineze Liu Pengyu, ka mohuar që Kina t’i ketë kërkuar ndihmë ushtarake për të vijuar pushtimin në Ukrainë. Liu Pengyu tha për CNN se Kina është e shqetësuar për luftën dhe kërkon që paqja të vendoset sa më parë. “Nuk kam dëgjuar kurrë për këtë. Kina është thellësisht e shqetësuar dhe e pikëlluar për situatën në Ukrainë. Ne sinqerisht shpresojmë se situata do të lehtësohet dhe paqja do të kthehet në një datë të hershme,” tha Pengyu.

09:06 Rusia i kërkon ndihmë ushtarake Kinës, SHBA ‘alarmohet’

Rusia i ka kërkuar Kinës ndihmë ushtarake për të vijuar luftën në Ukrainë. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, i tha CNN se mbështetja e Kinës për Rusinë është një shqetësim serioz. “Ne po vëzhgojmë nga afër për të parë shkallën në të cilën Kina ofron mbështetje për Rusinë. Është një shqetësim, ne i kemi komunikuar Pekinit se nuk do të lejojmë asnjë vend të kompensojë Rusinë për humbjet e saj nga sanksionet ekonomike”, tha Sullivan.

08:58 Pas bombardimit në maternitet, vdes gruaja shtatzënë bashkë me foshnjen

Forcat ruse duket se nuk kanë ndërmend të ndalen. Javën e kaluar bombarduan një maternitet në Mariupol dhe për pasojë, ka vdekur një grua shtatzënë së bashku me foshnjen e saj, ende pa ardhur në jetë. Imazhet e gruas që po dërgohej me urgjencë në një ambulancë me barelë kishin qarkulluar nëpër botë, duke pasqyruar tmerrin e një sulmi të tmerrshëm.

08:53 Sot mbahet raundi i katërt i bisedimeve Rusi-Ukrainë

Një raund i katërt i bisedimeve midis Rusisë dhe Ukrainës do të mbahet sot në 10:30 me orën lokale, sipas Anton Gerashchenko, këshilltar i ministrit të brendshëm të Ukrainës. Shpresat për armëpushim janë rritur pasi negociatori ukrainas Mykhailo Podolyak ka dhënë vlerësim optimist, duke thënë se do të arrihen rezultate brenda disa ditësh.

09:57 Analiza në “The Guardian”/ Putin dhe Trump më bindën sa gabim e kuptuam shekullin e 21-të

Nacionalizmi po zhduket, demokracia është e pashmangshme, lufta bërthamore nuk mund të ndodhë… Ukraina po na tregon se “siguritë” e vjetra ishin të gabuara. Ka shumë gjëra në lidhje me shekullin e 21-të që vërtet i kisha besuar, por pushtimi i Ukrainës nga Vladimir Putin dhe zgjedhja e Donald Trump në 2016-ën më bënë të kuptoj se isha gabuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA