Kievi: Bisedimet të vështira, por po avancojmë/ Moska, jo më ultimatume

14/03/2022 14:39

Kievi e përshkruan si të vështirë raundin e katërt të bisedimeve, që këtë herë zhvillohet në formen e video-konferencës, megjithatë negociatorët thonë se po avancojnë.

Zv/shefi i kabinetit të presidentit Volodymir Zelensky, Ihor Zhovkva e përshkruan si pozicionin e Moskës si më konstruktiv nga sa ishte më parë. “Në vend që të na japin ultimatume apo të tregojnë vijat e kuqe, apo ti kërkojnë Ukrainës kapitullimin, duken më të pritur drejt negociatave konstruktive”, u shpreh ai.

Edhe negociatori tjetër ukrainas, Mykhailo Podolyak,  u shpreh më herët se beson që brenda disa ditësh, do të mund të arrijnë rezultate te prekshme. Ukraina është shprehur e gatshme të negociojë, por jo të dorëzohet e as të pranojë ultimatum. Presidenti Volodymir Zelensky gjithashtu tha se ekipet e tij po bëjnë përpjekje për të rregulluar një takim të tij me Vladimir Putin, me të cilin të diskutojë arritjen e paqes.

“E di që është rrugë shumë e vështirë, por është njëkohësisht mjaft e nevojshme”, tha ai. Rusia ka kërkuar më parë që Ukraina të ndryshojë kushtetutën e saj për të ruajtur neutralitetin në mënyrë që të mos bashkohet dot me NATO-n apo BE-në, të pranojë Krimenë si territor rus e të njohë Donetskun e Luhanskun si territore te pavarura. Zëvendës Sekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman gjithashtu pohoi se Rusia po jep shenja vullneti për t’u përfshirë seriozisht në negociatat që synojnë fundin e konfliktit që ka shkaktuar mijëra të vdekur e ka detyruar 2.5 milionë njerëz të shpërngulen.

Top Channel