Në ditën e 17-të të luftës në Ukrainë, forcat ruse po zgjerojnë ofensivën e tyre për herë të parë në perëndim të vendit. Qytetet e mëdha, duke përfshirë Dnipro dhe Lutsk, janë bombarduar të premten. Sulmet janë intensifikuar edhe më tepër në verilindje dhe lindje të Kievit.
23:00 Zëvendëspresidentja e SHBA: Pushtimi rus në Ukrainë kërcënon demokracinë
Zëvendëspresidentja amerikane ka paralajmëruar se pushtimi rus në Ukrainë kërcënon demokracinë në të gjithë Evropën.
Zëvendëspresidentja e SHBA Kamala Harris theksoi unitetin midis SHBA-së dhe aleatëve të saj në NATO dhe paralajmëroi se pushtimi i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës përbën një kërcënim për demokracinë.
“Pushtimi i Rusisë kërcënon jo vetëm demokracinë e Ukrainës, por kërcënon demokracinë dhe sigurinë në mbarë Evropën. Oqeani që na ndan nuk do të na lërë të paprekur nga ky agresion”, tha Harris, sipas CNN.
22:45 Zelensky bisedon me kryeministrin e Izraelit
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenksy, ka biseduar të shtunën me kryeministrin e Izraelit, Naftali Bennett, për agresionin rus dhe për mundësitë e mbajtjes së bisedimeve të paqes.
Ne duhet të ndalim represionin ndaj civilëve”, tha Zelensky.
Më herët gjatë së shtunës, Zelensky tha se është i gatshëm që të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, në Jerusalem, nën ndërmjetësimin e kryeministrit Bennett.
Ai tha se bisedimeve të paqes duhet t’i paraprijë një marrëveshje e armëpushimit.
22:25 Mijëra banorë evakuohen nga qytete të ndryshme ukrainase
Afër 13,000 civilë ukrainas janë evakuuar përmes korridoreve humanitare gjatë të shtunës, dhe zëvendëskryeministrja e Ukrainës.
Ky numër i të evakuuarve është pothuajse dyfish më i lartë krahasuar me një ditë më parë.
Përmes një mesazhi të postuar online, zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk tha sende askush nuk ka arritur të largohet nga qyteti i rrethuar i Mariupolit.
Ajo fajësoi forcat ruse për mosevakuimin e banorëve të këtij qyteti në jug të Ukrainës.
Më herët, Moska akuzoi forcat ukrainase se me qëllim nuk po lejojnë që qytetarët e Mariupolit të evakuohen.
22:04 Rusia paralajmëron: Dërgesat ushtarake amerikane në Ukrainë janë ‘shënjestra legjitime’
Rusia ka kërcënuar Perëndimin, se çdo dërgesë ushtarake në Ukrainë do të shihet si ‘objektive legjitime’, duke nxitur frikën se mund të ketë një përshkallëzim të konfliktit që mund të tërheqë vendet e tjera, sipas Daily Mail.
Zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov paralajmëroi SHBA-në “se pompimi i armëve nga një numër vendesh që ajo drejton nuk është vetëm një veprim i rrezikshëm, është një veprim që i bën ato kolona objektiva legjitime”.
Paralajmërimet erdhën pasi Joe Biden ndërhyri për të ndaluar një dërgesë të avionëve luftarakë polakë MiG në Kiev, nga frika se masa mund të çonte në “Luftën e Tretë Botërore”.
22:00 Imazhet e reja satelitore tregojnë dëme të mëdha në Mariupolin perëndimor, Ukrainë
Imazhet e reja satelitore nga Maxar Technologies tregojnë dëmtimet e shkaktuara nga sulmet ushtarake në Mariupolin perëndimor.
Në lagjen perëndimore të Mariupolit të Zhovteneyvi, një krater i madh, ende i djegur, shihet pranë stacionit të karburantit.
Duket se tymi po ngrihet nga një kompleks apartamentesh përballë rrugës. Çatitë e magazinës në rrugë duket gjithashtu se kanë vrima të mëdha në to.
20:19 Ukraina raporton për civilë të vrarë gjatë evakuimeve
Ushtria ukrainase tha se trupat ruse kanë hapur zjarr ndaj një konvoji që po evakuonte civilët nga qytetet e rrethuara ukrainase, duke vrarë shtatë persona.
Sipas autoriteteve ukrainase, në konvojin e sulmuar po udhëtonin gra dhe fëmijë, të cilët po largoheshin nga një fshat në veriperëndim të Kievit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës një prej viktimave ishte fëmijë.
Inteligjenca ukrainase tha se incidenti ndodhi në një korridor humanitar të hapur për të evakuuar civilët nga fshati Peremoha. Ky korridor, siç thanë autoritetet ukrainase, ishte hapur me pajtimin e dy palëve.
Inteligjenca tha po ashtu se banorët e tjerë që i shpëtuan këtij sulmi u detyruan që të ktheheshin në Peremoha dhe nuk po lejohen që të largohen nga ky fshat.
Ukraina në disa raste e ka akuzuar Rusinë se nuk po respekton marrëveshjet e armëpushimit për evakuimin e civilëve dhe po sulmon caqe civile.
18:46 Guvernatori ukrainas: Qyteti i Volnovakha ‘nuk ekziston më’
‘Qyteti juglindor i Volnovakha është shkatërruar plotësisht që nga pushtimi rus’, tha guvernatori i rajonit të Donetsk, Pavlo Kyrylenko. Ai tha që që nga fillimi i pushtimit, shumica e popullsisë së Volnovakha-s është larguar dhe infrastruktura e saj është shkatërruar, që do të thotë se qyteti nuk ekziston më. “Në përgjithësi, Volnovakha, ashtu siç është kthyer nuk ekziston më,” tha ai për kanalin televiziv ukrainas Direct.
17:01 Biden paralajmëron Luftën e Tretë Botërore: Përplasja NATO-Rusi, katastrofike!
Pasi e ndaloi personalisht dërgimin e avionëve luftarakë MIg29 nga Polonia në Ukrainë, Joe Biden paralajmëroi sërish mbi rrezikun e një Lufte të Tretë Botërore. Një konflikt i drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe NATO-s do të ishte katastrofik, tha presidenti amerikan, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë “çdo pëllëmbë” territori të aleancës ushtarake nëse do të jete e nevojshme.
16:54 Rusia “po mbytet”: Kapërcen Iranin si vendi më i sanksionuar në botë!
Rusia rezulton sot vendi më i sanksionuar në botë, duke kapërcyer dhe Iranin. Të gjitha këto masa ishin pasojë e pushtimit të saj të paprovokuar në Ukrainë, i cili u dënua gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.Së fundmi, autoritetet italiane kanë konfiskuar superjahtin e një miliarderi rus, i cili është përfshirë në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian, pas pushtimit rus në Ukrainë.
16:49 Presidenti ukrainas: Ja si mund ta marrë Rusia Kievin
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Rusia mund ta marrë kryeqytetin ukrainas vetëm nëse e “rrafshon qytetin me tokë”. Në një konferencë shtypi në Kiev, ai u tha gazetarëve se ishte i hapur për diskutime me presidentin rus Vladimir Putin, duke diskutuar mundësinë e negociatave që do të mbaheshin në Jerusalem me kryeministrin izraelit Naftali Bennett. Sipas The Guardian, reagimi i Zelenskiy erdhi pasi një zyrtar i paidentifikuar i qeverisë ukrainase tha se kryeministri izraelit i kishte kërkuar Zelenskiy të pranonte një ofertë të bërë nga Putin për t’i dhënë fund luftës.
16:47 Putin afron SHBA-në me Turqinë: Washingtoni përshëndet ndërmjetësimin për Ukrainën!
Shtetet e Bashkuara i mirëpresin përpjekjet diplomatike të Turqisë për të gjetur një zgjidhje për luftën Rusi-Ukrainë, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price, nje gjest që nënkupton dhe një shkrirje të akujve në mërradhëniet dypalëshe, të tensionuara ndjeshëm pasi Ankarja bleu prej Moskës sisteme të mbrojtjes S400. Duke vënë në dukje se Turqia, Franca dhe Izraeli janë përfshirë intensivisht në procesin diplomatik me Rusinë, Price përshëndeti rolin e Turqisë, duke thënë se aleati i NATO-s ka qenë përgjatë gjithë kësaj kohe në koordinim dhe konsultim të plotë me SHBA-në.
16:38 Goditet xhamia me 80 vetë brenda, rusët bombardime në 4 fronte
Forcat ruse kanë bombarduar një xhami në qytetin Mariupol, ku ishin strehuar më shumë se 80 të rritur dhe fëmijë, përfshirë shtetas turq, e pohuar kjo nga ministria e jashtme ukrainase. Xhamia Sulltan Sylejmani i Madhërishëm në qytetin port është bombarduar nga “pushtuesit” ruse, thuhet në njoftimin e saj. Ukraina ka akuzuar Rusinë se nuk po lejon daljen e qytetarëve nga Mariupoli, dhe për pasojë qindra mijëra persona kanë mbetur të bllokuar.
16:29 Zelenskiy: Rreth 1,300 trupa ukrainase të vrarë që nga nisja e pushtimit rus
Duke folur në një konferencë shtypi, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, tha se rreth 1,300 trupa ukrainase ishin vrarë që nga fillimi i pushtimit rus. Gjithashtu, ai pretendoi se rreth 500-600 trupa ruse iu dorëzuan forcave ukrainase të premten. Sipas The Guardian, Zelenskiy tha se ekipet negociuese ukrainase dhe ruse kishin filluar të diskutonin tema konkrete në vend të shkëmbimit të ultimatumeve.
16:28 Putini kërkon “të rrafshojë” Kievin, ukrainasit: Këtu do të gjesh Stalingradin!
Putinit po i humbet durimi, e për këtë, thotë BBC nuk ka dyshim: Rusia është duke lëvizur drejt një faze të re të konfliktit. Forcat e Moskës kanë grumbulluar artilerinë, raketat e dronët e tyre pranë qyteteve ukrainase, por shenjestra e madhe mbetet kryeqendra e vendit të mësyrë, Kiev. Treguesi ndoshta më i qartë sesi Rusia i zhvillon betejat e saj përfundimtare janë veprimet e saj në Grozni të Cecenise, që u kthye në qytetin më të të bombarduar të globit, apo në Aleppo të Sirisë, ku sërish la pas një vazhdë të madhe shkatërrimesh.
14:50 Macron dhe Scholz bisedë me Putin
Udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë po zhvillojnë një raund tjetër bisedimesh telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin. Ata ishin në kontakt më parë të enjten, kur presidenti, Emmanuel Macron dhe kancelari Olaf Scholz, kërkuan një armëpushim të menjëhershëm nga Rusia. Moska ka refuzuar thirrje të tilla. Presidenti Macron gjatë gjithë krizës ka theksuar nevojën për të mbajtur të hapura kanalet e komunikimit me Rusinë dhe ka zhvilluar nëntë biseda telefonike me liderin e Kremlinit.
14:40 Rusia kërcënon SHBA-në: Transportimi i armëve në Ukrainë, objektiv sulmi
Rusia paralajmëron se Moska i konsideron dërgesat e armëve në nga SHBA dhe Perëndimi në Ukrainë si objektiva për tu shkatërruar nga ushtria ruse. Zëvendës Ministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, ka paralajmëruar se tani e tutje Moska do t’i konsiderojë dërgesat e armëve në Ukrainë si “objektiva legjitime”, çka mund të sjellë një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit në Ukrainë. Ryabkov tha se dërgimi i armëve nga një numër vendesh që SHBA drejton nuk është vetëm një veprim i rrezikshëm, por është një veprim që i bën ato kolona objektiva legjitime.
14:35 Sulm me dron në Kiev, gazetari i Top Channel sjell pamjet nga vendi i ngjarjes
Një sulm me dron ka ndodhur mesditen e sotme në periferi të Kievit, pranë një rajoni policie. Gazetari i Top Channel, Artur Bibe ka mundur të shkojë në vendin e ngjarjes dhe ka sjellë pamjet e dronit të shpërthyer. Droni kishte 4 kg eksploziv dhe mijëra sfera të vogla, siç duken edhe në fotot e mëposhtëme. Ndërkohë, në shumë zona të banuara, ushtria ka nisur sulmet, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
13:51 Zelensky: Ushtria ruse ka pësuar në Ukrainë humbjet më të mëdha në dekada
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky këtë të shtunë është shprehur se ushtria ruse ka pësuar humbjet e saj më të mëdha në dekada. Në një shënim në Instagram, Zelensky thotë se 31 grupe taktike të batalioneve ruse tani janë jo më aktive. Ai kërkon lirimin e menjëhershëm të kryebashkiakut të Melitopolit, i cili thuhet se është rrëmbyer nga forcat ruse. Për këtë presidenti ukrainas tha se ka diskutuar me liderët francezë dhe gjermanë. Ai theksoi gjithashtu se Ukraina po punon me Komisionin Evropian për të përshpejtuar anëtarësimin e saj në BE.
12:58 Avioni i NATO-s nxjerr zbuluar Moskën: Po ndërmerr sulme ajrore nga Bjellorusia!
NATO thotë se Moska po i ndërmerr nga Bjellorusia shumë prej operacioneve të saj ajrore kundër Ukrainës. CNN iu bashkua NATO-s në një avion të saj të Sistemit të Paralajmërimit dhe Kontrollit Ajror, i cili përdoret në kufirin ukrainas-polak për të mbledhur të dhëna inteligjencë. Rusët e dinë se të tillë avionë janë atje, dhe përpiqen të bllokojnë radarin e tyre, tha drejtori teknik i aleancës, Denis Guillaume për CNN.
12:52 Frenon evakuimi në Ukrainë, rusët bombardojnë edhe depot e ushqimeve
Teksa ushtria ruse vazhdon ofensivën në Ukrainë, për civilët në zonat e luftimeve, largimi po bëhet gjithmonë e më i vështirë. Zëvendëskryeministrja ukrainase, Irina Vereshtshuk deklaroi, se sulmet e trupave ruse kundër qytetit Mariupol kanë penguar sërish të premten dërgimin në siguri të civilëve nga qyteti port juglindor. Sipas të dhënave ukrainase aty kanë humbur jetën më shumë se 1500 civilë nga shpërthimi i luftimeve. Në rajonin e Kievit ushtarët rusë kanë penguar kalimin e autobusëve me civilë, ndërsa kanë bombarduar edhe një depo ushqimesh.
11:42 Ukraina: Rusia bombardon një xhami që strehonte 80 persona
Forcat ruse kanë bombarduar një xhami në qytetin Mariupol, ku janë strehuar më shumë se 80 të rritur dhe fëmijë, përfshirë shtetas turq, ka thënë Ministria e Jashtme ukrainase. Ministria ka thënë se xhamia Sulltan Sylejmani i Madhërishëm në Mariupol është bombarduar nga “pushtuesit” rusë. Ukraina ka akuzuar Rusinë se nuk po lejon daljen e qytetarëve nga Mariupoli, dhe për pasojë qindra mijëra persona kanë mbetur të bllokuar.
10:10 Forcat ruse 25 km larg Kievit, bombardojnë magazinat ushqimore
Forcat ushtarake të Rusisë kanë bërë një përparim të vogël në luftën e tyre drejt kryeqytetit ukrainas, Kiev. Mësohet se disa magazina ushqimore janë hedhur në erë nga bombardimet ruse, ndërsa rrugët e qytetit duken krejtësisht bosh. Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar thotë se “pjesa më e madhe” e forcave ruse janë 25 kilometra larg nga qendra e qytetit të Kievit. Në njoftimin e saj, mësohet se kolona e madhe ushtarake ruse në veri të kryeqytetit është e shpërndarë dhe ka “gjasa t’i shkojë në ndimë një plani të mirëorganizuar për të rrethuar qytetin”.
09:12 Britania: Trupat ruse janë vetëm 25 km larg Kiev-it
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar thotë se “pjesa më e madhe” e forcave ruse janë 25 kilometra larg nga qendra e qytetit të Kievit. Në njoftimin e saj, mësohet se kolona e madhe ushtarake ruse në veri të kryeqytetit është e shpërndarë dhe ka “gjasa t’i shkojë në ndimë një plani të mirëorganizuar për të rrethuar qytetin”. “Mund të jetë edhe një strategji e saj për të shmangur goditjet e forcave ushtarake të Ukrainës, të cilat kanë fituar pozicion ndaj forcave ruse”, thotë Ministria e Mbrojtjes.
09:00 “Dera e pasme serbe”/ Rusët po përdorin “Air Serbia” për të udhëtuar në Evropë
Rusët po shfrytëzojnë një shteg të njohur si “dera e pasme serbe” për të ikur në Evropë dhe për të anashkaluar një ndalim në mbarë unionin për fluturimet drejt dhe nga Rusia. “Air Serbia”, e cila është kryesisht në pronësi të shtetit, ka dyfishuar numrin e fluturimeve direkte nga Moska në Beograd në 15 në javë. Kjo për të përmbushur kërkesën në rritje të shpejtë pasi BE-ja ndaloi avionët dhe linjat ajrore ruse nga hapësira e saj ajrore, pas pushtimit të Ukrainës nga presidenti, Vladimir Putin. Rusia, po ashtu, u përgjigj duke mbyllur hapësirën e saj ajrore ndaj avionëve të BE-së dhe Britanisë së Madhe.
08:50 BE-ja prezanton paketën e katërt të sanksioneve ndaj Rusisë
Bashkimi Evropian do të pezullojë trajtimin e privilegjuar tregtar dhe ekonomik të Moskës, do të frenojë përdorimin e saj të kriptovalutave dhe do të ndalojë eksportin e mallrave luksoze evropiane në Rusi dhe importin e produkteve të hekurit dhe çelikut nga ky vend, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Masat e reja do të futen si paketa e katërt e sanksioneve për shkak të pushtimit rus të Ukrainës dhe veprimet do të koordinohen me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të Grupit të Shtatë (G7).
08:44 Zelensky u drejtohet me “fjalë zemre” nënave ruse: Mos i dërgoni fëmijët në luftë!
Presidenti ukrainas, Vlodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje nënave ruse të premten që të mos dërgojnë fëmijët e tyre në fushëbetejë dhe të jenë të vëmendshme për vendndodhjen e tyre. Zelensky u ka thënë atyre përmes një video-mesazhi: Mos i dërgoni fëmijët tuaj në luftë në një shtet të huaj”. Ai ka thënë që të mos besohen premtimet se fëmijët do të dërgohen diku për stërvitje, apo në kushte joluftarake, dhe që të veprojnë menjëherë nëse ka dyshime se do të nisen drejt Ukrainës.
08:36 Putin “arreston” kreun e FSB-së ruse, “dështoi në Ukrainë”
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka vendosur në arrest shtëpie kreun e shërbimit të jashtëm të FSB-së dhe zëvendësin e tij. Arsyeja: Dështimet e inteligjencës, ku ushtria e tij pësoi një seri humbjesh të turpshme në Ukrainë. Andrey Soldatov, një person i respektuar i shërbimeve sekrete ruse, tha se burime brenda FSB-së i bënë atij me dije se Sergey Beseda, 68 vjeç, kreu i shërbimit të jashtëm të agjencisë, është arrestuar me urdhër të Putin-it. Gjithashtu është arrestuar Anatoly Bolyukh, zëvendësi i Beseda-s.
08:19 Operacionet ushtarake ruse rreth Kievit, “ kanë ngecur”
Instituti për Studime të Luftës, ka thënë se operacionet ruse rreth Kievit, “kryesisht kanë ngecur në 24 orët e fundit” dhe forcat tani synojnë “rifurnizim dhe riparim”. “Ofensiva e pakoordinuar dhe sporadike e Rusisë kundër qyteteve të mëdha ukrainasve, mbështet vlerësimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës se forcat ruse kanë probleme në rritje me furnizime dhe kanë humbur iniciativën”. Në rrjetin social, Twitter, Instituti ka shfaqur një fotografi që tregon avancimin e Rusisë drejt perëndim të Ukrainës.
08:08 Forcat ruse pozicionohen rreth Kievit
Forcat ruse janë pozicionuar rreth Kievit dhe po “bllokojnë” Mariupolin, ku mijëra njerëz po vuajnë një rrethim shkatërrues. Mediat lokale raportojnë sirena paralajmëruese për sulm ajror në të gjithë Ukrainën, duke përfshirë Kievin, Odessa, Dnipro dhe Kharkiv. Pas dymbëdhjetë ditësh rrethimi, Mariupol, një port strategjik, është pa ujë, gaz, energji elektrike dhe komunikim. “Situata është pothuajse e dëshpëruar”, paralajmëruan Mjekët pa Kufij.
Top Channel