Biden paralajmëron Luftën e Tretë Botërore: Përplasja NATO-Rusi, katastrofike!

12/03/2022 17:01

Pasi e ndaloi personalisht dërgimin e avionëve luftarakë MIg29 nga Polonia në Ukrainë, Joe Biden paralajmëroi sërish mbi rrezikun e një Lufte të Tretë Botërore.

Një konflikt i drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe NATO-s do të ishte katastrofik, tha presidenti amerikan, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë “çdo pëllëmbë” territori të aleancës ushtarake nëse do të jete e nevojshme.

“NATO-ja vjen sot me një fuqi të plotë, shumë më e bashkuar. Ne nuk do të bëjmë luftë kundër Rusisë në Ukrainë. Konfrontimi i drejtpërdrejtë NATO-Rusi është praktikisht Lufta e Tretë Botërore, e këtë duhet të përpiqemi ta parandalojme me cdo kusht”, tha ai.

Duke folur për trupat amerikane përgjatë kufirit me Rusinë, shefi i Shtëpisë së Bardhë e pohoi qartë se nëse ato lëvizim, nëse “ne përgjigjemi, atëherë mos kini asnjë iluzion, kjo do të jetë Lufta e Tretë, kuptojeni këtë”, u shpreh Biden.

Një ditë më parë, u njoftua se Uashingtoni do t’i heqë Rusisë statusin e vendit të favorizuar në tregti për shkak të agresionit në Ukrainë. Vendimi nënkupton ndërprerjen e marrëdhënieve normale tregtare me Moskën.

Heqja e këtij statusi, në koordinim me vendet e Bashkimit Evropian dhe ato të G7, bën të mundur vendosjen e tarifave ndaj importeve ruse, duke e izoluar edhe më tej ekonominë e këtij vendi Sanksionet e reja vijnë mes rritjes së trysnisë dypartiake në Uashington për të anuluar atë që njihet zyrtarisht si “marrëdhënie normale tregtare e përhershme me Rusinë”.

Top Channel