“Zoti kishte plane të tjera”/ Rovena Ibrahimi flet për herë të parë në “S’e Luan Topi” për humbjen e vëllait: Mamaja na dha forcë, unë me motrën ishim të…

10/10/2026 21:05

Këngëtarja Rovena Ibrahimi ka rrëfyer një nga periudhat më të vështira të jetës së saj, humbjen e të vëllait në moshën 42-vjeçare.

Në një intervistë në emisionin “S’e Luan Topi” në Top Channel, ajo u ndal te forca e së ëmës, e cila, pavarësisht humbjes së të birit dhe problemeve shëndetësore që po kalonte, u dha forcë familjes.

“Mami është njeriu më i fortë, sepse edhe në momentet më të vështira ajo na dha forcë neve, në vend që t’i jepnim forcë asaj. Ne deri në momentin e fundit nuk e kemi besuar që vëllai humbi jetën. Edhe mjekët që po e mjekonin nuk po e besonin, por Zoti kishte plane të tjera.

Ka qenë momenti më i vështirë i jetës sime, sepse mami vinte pas dy ndërhyrjeve të vështira dhe nuk e kishte marrë veten, ndërsa vëllai shtrohet në spital dhe e gjithë kjo gjendje u mblodh dhe u bë sikur ishte një e vetme. Janë ato momente që të gjithëve mbase na kanë ndodhur. Uroj që të mos i ndodhë askujt asgjë, por jeta kjo është. Thjesht shikon lart dhe je e pafuqishme, ndaj duhet ta pranosh çdo gjë që vjen, për mirë apo për keq.

Vëllai kur vdiq ishte 42 vjeç. Pas një jave e kam parë vërtet forcën e mamit tim, sepse në momentin kur ti prek dhimbjen më të madhe në këtë botë, nuk e di se si mund të gjesh forcë brenda vetes dhe t’u japësh kurajo të tjerëve. Ne kishim humbur drejtimin në një moment dhe shikoja mamin më të fortë se kurrë.

Unë mbyllem, kam një ves shumë të keq: nuk flas me njeri. Unë nuk reagoj dhe nuk flas me njeri, mbyllem, dhe mami, duke e ditur këtë zakon timin, mundohet gjithmonë të bëjë të kundërtën me mua.

Unë jam shumë besimtare. Duhet të pranojmë çdo gjë. Besimi te Zoti të shpëton nga shumë mendime, mbase edhe nga ato që janë në natyrën e njeriut, si pyetja ‘Pse mua?’. Por këtë që të shohësh në sy do ta përjetosh si një mesazh dhe atëherë kupton që ka gjëra që nuk varen nga ti. Ashtu siç vjen në jetë, ashtu vjen edhe momenti i ikjes”, tha këngëtarja, Rovena Ibrahimi.

Top Channel