Rusia “po mbytet”: Kapërcen Iranin si vendi më i sanksionuar në botë!

12/03/2022 16:54

Rusia rezulton sot vendi më i sanksionuar në botë, duke kapërcyer dhe Iranin.

Të gjitha këto masa ishin pasojë e pushtimit të saj të paprovokuar në Ukrainë, i cili u dënua gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.Së fundmi, autoritetet italiane kanë konfiskuar superjahtin e një miliarderi rus, i cili është përfshirë në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian, pas pushtimit rus në Ukrainë.

Anija e quajtur ‘A’, i përket miliarderit rus, Andrey Igorevich Melnichenko, i cili ka edhe kompaninë EuroChem Group dhe atë të qymyrgurit, SUEK. Jahti, i cili besohet se ka vlerën e rreth 578 milionë dollarëve, është më i madhi në botë, ka thënë Qeveria italiane.

Javën e kaluar, Policia italiane ka konfiskuar vila dhe jahte në vlerë të 156 milionë dollarëve nga pesë rusë të profilit të lartë, të cilët po ashtu janë sanksionuar nga blloku evropian. Për shpagim, Prokuroria e përgjithshme ruse ka vënë në shenjestër sakaq sipërmarrjet, që për shkak të sulmit ndaj Ukrainës ndërprenë biznesin në Rusi, duke thënë se duhet të verifikohet respektimi i detyrimeve që kanë këto sipërmarrje ndaj punonjësve rusë dhe të drejtat e tyre e duke i kërcënuar me shpronësim.

Çdo ndërprerje punës në këto sipërmarrje duhet të verifikohet gjithashtu nëse paraqet një falimentim të qëllimshëm apo fiktiv. Për shkak të sulmit ndaj Ukrainës një sërë kompanish ndërkombëtare, ofrues të artikujve të modës apo mallrave të konsumit, prodhues automobilësh, banka apo sipërmarrje të teknologjisë së informacionit, kanë ndërprerë aktivitetin në Rusi.

Top Channel