Goditet xhamia me 80 vetë brenda, rusët bombardime në 4 fronte, afron rrethimi i Kievit!

12/03/2022 16:38

Forcat ruse kanë bombarduar një xhami në qytetin Mariupol, ku ishin strehuar më shumë se 80 të rritur dhe fëmijë, përfshirë shtetas turq, e pohuar kjo nga ministria e jashtme ukrainase.

Xhamia Sulltan Sylejmani i Madhërishëm në qytetin port është bombarduar nga “pushtuesit” ruse, thuhet në njoftimin e saj. Ukraina ka akuzuar Rusinë se nuk po lejon daljen e qytetarëve nga Mariupoli, dhe për pasojë qindra mijëra persona kanë mbetur të bllokuar.

Rusia nga ana e saj ia hedh fajin Kievit, duke ia faturuar atij dështimin e përpjekjeve për evakuim. Ende nuk ka informacione të qarta për të vrarë apo të plagosur brenda xhamisë. Sulmi ndaj objektit të kultit erdhi në një kohë kur Moska, vazhdimisht i ka hedhur poshtë  raportimet për shenjëstrim të civilëve.

Ofensiva ruse drejt Kievit sakaq, vazhdon. Ministria britanike e Mbrojtjes thotë  se forcat tokësore ruse tani janë 25 kilometra larg qendrës së kryeqytetit ukrainas. Ato po drejtohen Kievit nga veriu, në Sasymja dhe në drejtimin jugor në Vyshenky, dhe kanë pasur sukses në disa zona. Bombardues strategjikë ruse kanë vazhduar nga ana tjetër sulmet ajrore në rajonin Dnjeper,  Luzk dhe Ivano-Frankivsk. Sipas shtabit të përgjithshëm ukrainas, ushtria ruse përpiqet të thyejë mbrojtjen e rajoneve perëndimore dhe veriperëndimore të Kievit me qëllim që të “bllokojë” kryeqytetin. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se vendi ka mbërritur  në një pikë kthese strategjike”.

”Është e pamundshme të themi edhe sa ditë na kanë mbetur për të çliruar tokën ukrainase. Mirëpo mund të themi se do ta bëjmë këtë gjë”, deklaroi ai, teksa pushtimi rus ka hyrë në javën e tretë. Shumë e rëndë paraqitet sakaq situata në Mariupol, ku kanë vdekur me qindra vetë, e ku bombardimet ruse nuk po lejojnë as të varrosen të vdekurit.

Top Channel