Manchester City po tenton prej vitesh të fitojë trofeun e Champions League për herë të parë në histori. Drejtuesve, trajnerit Guardiola dhe tifozëve u është kthyer në fiksim kupa me veshë të mëdhenj.
Ndryshe mendon Kevin De Bruyne. Fantazisti belg i kampionëve në fuqi të Anglisë, preferon kampionatin përpara suksesit evropian, mendim të cilin e shtjellon në prononcimin për Daily Mail.
“Nëse do më duhej të zgjidhja mes fitimit të Champions League dhe Premier League, sigurisht që do të zgjidhja titullin kampion. Të fitosh Premier League do të thotë se ke stabilitet dhe qëndrueshmëri, pasi lojtarët duhet të tregojnë nivel të lartë gjatë gjithë sezonit.
Në Champions është e rëndësishme të luash mirë, por ndonjëherë është më shumë një lotari sesa një kampionat kombëtar. Ka legjenda të futbollit që nuk e kanë fituar kurrë Championsin.
Në fund të karrierës time unë nuk do të kthej kokën pas për të parë se çfarë nuk kam fituar. Të gjithë duan të fitojnë sa më shumë trofe, por trofeu i radhës nuk përcakton se çfarë ke arritur në karrierën tënde.
Kur je sportist, të dhemb sa herë humb. Por ndonjëherë është mirë të rijetosh momentet që të lëndojnë. Në jetë nuk mund të shkojnë gjithmonë mire gjërat. Nuk funksionon kështu“, deklaroi ylli i Manchester City.
Top Channel