Bashkia e vogël e Rrogozhinës po shkon drejt zgjedhjeve të pjesshme, pasi kryetari i mëparshëm Haxhi Memolla u nda nga jeta pas një ataku kardiak. Edison Memolla, u komandua në drejtim të bashkisë pas ndarjes nga jeta të xhaxhait të tij. Ai, u konfirmua si kandidat në zgjedhjet e 6 Marsit. Bashkia që numëron pak më shumë se 22 mijë banorë shohin shumë pak ndryshime për mirë ndër vite.
Ka nga ata banorë që duket se i konsiderojnë pa kurrfarë rëndësie këto zgjedhje dhe paralajmërojnë se nuk do të marrin pjesë nëse nuk shohin premtime dhe alternative konkrete.
Nën moton “ska kohë për pushim”, përkrah Edison Memollës, është shfaqr që prej fund të janarit, deputeti Etjen Xhafaj. Dukshëm, Memolla duket i avantazhuar në fushatë ku hyn si kryetar në detyrë dhe përdor punët publike për fushatë. Nga një vëzhgim i TOP STORY në faqen e tij zyrtare në “Facebook” Edison Memolla shfaqet duke mbjellë pemë, tek Ujësjellësi apo në vepra të ndryshme publike duke prezantuar ato që ai i konsideron arritje.
Në fakt, janë thjesht pjesë e detyrës funksionale të Memollës. Të gjitha janë të shoqëruara me hashtag “me Edin, Voto nr 2”.
“Burimet njerëzore kanë filluar e përdoren edhe në fushatë. Kemi evidentuar dy-tre raste sapo ka nisur fushata ku zyrtarë të lartë shtetërore janë në mbështetje të kandidatëve. Kemi raste të tjera si kryetarët e bashkisë së vorës dhe Rrogozhinës ku ministrat kanë lënë detyrat” u shpreh Rigels Xhemollari, Qëndresa Qytetare
Rasti më flagrant është ai i një ceremonie, që siç thotë vetë Memolla, i paraprin inagurimit të pallatit të Kulturës. Sipas kontratës, ky objekt duhet të kishte përfunduar në muajin janar.Por, inaugurimi u shty për në fushatë. Referuar kodit zgjedhur të gjitha aktivitetet e planifikuara të bashkisë duhet të ishin raportuar në KQZ. Nga një vëzhgim i Top Story, bashkia Rrogozhinë nuk ka deklaruar asnjë aktivitet.
Po ashtu, në mënyrë krejt flagrante, Edison Memolla e prezanton veten para votuesve me një video ku përmblidhen investimet kryesore të bashkisë Rrogozhinë, post të cilën ai e gëzon jo si i zgjedhur, por si i komanduar.
“Këta nënkryetarë duhet të kishin dhënë dorëheqjen që të hynin një gare të pastër elektorale dhe të mos përdornin të gjithë ato mjete që u jep pushteti të cilën e kanë marrë jo nëpërmjet votës por nëpërmjet delegimit, për tu futur në një garë të drejtë dhe të ndershme. Ajo që po ndodh është se ata e kanë intensifikaur pasi deri më tani nuk i njohnim dhe po i shohim në terren, nëpër zgjedhje, qendra shëndetësore” u shpreh Rigels Xhemollari, Qëndresa Qytetare
Edison Memolla ka deklaruar pasurinë kur u komandua si kryetar. Kandidati 40-vjeçar rezulton se nuk ka shtëpi. Ai është pronar i rreth 1800 m2 tokë bujqësore dhe një makinë me vlerë 9500 euro.
Top Channel