Inside Story/ Ekskluzive! Brenda kampit të klandestinëve në Dunkirk, a janë shqiptarët krerët e biznesit…?!

07/10/2026 21:23

Këto pamje dramatike të emigrantëve ilegalë që vrapojnë për të marrë gomonen drejt ujërave të Kanalit të La Manshit i përkasin vitit 2022.

Shqiptarët zbuluan rrugën e kalimit ilegal drejt Britanisë nëpërmjet gomoneve të vogla nga Dunkirk dhe Calais.

Përgjatë 2022-shit ishte piku i kalimit të shqiptarëve drejt ishullit britanik. Kjo çështje u përdor në politikën e ditës në Britani nga grupet anti-emigracion, duke përfshirë në debat edhe palën shqiptare, që e konsideroi sjellje diskriminuese.

Sipas statistikave zyrtare, rreth 45 mijë persona shkuan me gomone në Angli në 1 vit. Rreth 12-13 mijë ishin shqiptarë. Pra, vendi ynë përbënte rreth 27% të shifrës totale, duke ia kaluar dhe shtetasve nga Irani apo Afganistani.

Megjithatë, situata duket se ka ndryshuar shumë me 4 vite më parë. Politikat shtrënguese dhe realiteti i paraqitur nëpër kampe kanë bërë të vetën, duke i frenuar shqiptarët.

Inside Story ka udhëtuar drejt Dunkirkut për të parë nga afër nëse rruga e gomoneve është sërish e aplikuar nga shqiptarët, apo janë gjetur alternativa të tjera për të vazhduar emigrimin ilegal.

Këtu jemi në kampin e Dunkirkut. Siç shihet, kampi mbetet mjaft i populluar nga persona që duan të largohen nga vendet e tyre të origjinës për të arritur ëndrrën e madhe, tokën e premtuar të Anglisë.

Policia franceze mbetet kryesisht spektatore, pasi nuk bën diçka të madhe për të parandaluar këta emigrantë, që synim kanë vetëm vendin ishullor. Në pamjet e siguruara nga kamerat tona, shihet qartë se uniformat blu afrohen për presion, shkatërrojnë kampin, por nuk ndikojnë realisht për të shmangur flukset drejt vendit fqinj.

Shkatërrimet e marketit të kampit apo disa çadrave rikuperohen për punë orësh dhe gjithçka kthehet në normalitet. Situata nuk ka ndryshuar shumë nga 4 vite më parë, pasi drama njerëzore mbetet e njëjtë dhe ndotja e madhe mund të shkaktojë epidemi shumë thjeshtë.

Fatmirësisht, gjatë qëndrimit tonë disa-ditor aty, jo vetëm që nuk dëgjuam të flitej shqip si dikur, por nuk gjetëm asnjë shqiptar të vetëm në kampin e Dunkirkut.

Të vetmit shqiptarë ishin ekipi ynë. Megjithatë, ndryshe nga 4 vite më parë, të bënte përshtypje që shihje më shumë gra dhe fëmijë. Ishte rritur numri i udhëtarëve me familje. Shpesh, qëndrimi tranzit ishte aq i gjatë sa banorët e kampit mbarështonin edhe shpendë konsumi.

Kurdët ishin sërish personat që kontrollonin kampet, ashtu si 4 vite më parë, pavarësisht se në atë periudhë u shigjetuan padrejtësisht shqiptarët. Po këta persona siguronin mjetet e lundrimit dhe u siguronin fitimet, njëjtë si në vitin 2022. Pagesa e emigrantëve bëhej cash në vend, ndërsa pylli aty pranë shërbente për fshehjen e parave.

Kanali i La Manshit, po ashtu, ishte bërë një rrugë e preferuar edhe për persona nga Filipinet dhe Vietnami. Mjafton të shohësh distancën në hartë për të kuptuar se sa larg kishin udhëtuar dhe sa shumë sakrifica kishin ndërmarrë për të ardhur drejt Francës, në mënyrë që të shkonin në Angli.

Megjithatë, vizita jonë në Francë, në kampin e emigrantëve, nuk ishte e rastësishme. Pikërisht pas hov-it të klandestinëve me gomone në vitin 2022, një formë e re emigrimi ilegal është pikasur nga Prokuroria e Posaçme. SPAK ka kryer një hetim madhor ndaj një grupi të strukturuar. Inside Story ka siguruar dosjen e plotë hetimore me 29 masa shtrënguese, një dosje që zbulon epokën e re pas goditjes së aktivitetit të gomoneve.

Gjatë viteve 2022-2024 është dokumentuar veprimtaria kriminale e grupeve kriminale të lidhura me dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve në rrugë detare, ajrore dhe tokësore, kryesisht të shtetasve shqiptarë, me qëllim udhëtimin e tyre drejt Mbretërisë së Bashkuar, Amerikës dhe Kanadasë. Gjatë hetimit janë dokumentuar të gjitha fazat e kryerjes së kësaj veprimtarie dhe personat e përfshirë në të.

Top Channel