Inside Story/ “Vëllaçko, të jap garanci 99 %…”, si u kap trafikanti nga oficeri i infiltruar, ja përgjimet

07/10/2026 21:40

Inside Story, ka siguruar materiale që zbulojnë infiltrimin e oficerit të policisë brenda grupit të trafikut të emigrantëve përmes pasaportave false. Puna operative është prova më e fortë e trafikut drejt SHBA-së, Britanisë, Kanadasë, Australisë e më gjerë.

Në dosje, agjenti i identifikuar me numrin kodik 341, është futur direkt në biseda me Njazi Ademajn, personin që i ka siguruar pasaportë, kartë identiteti dhe leje drejtimi false.

Agjenti i ka kërkuar nëse mund të kthehej nga Anglia ku qëndronte ilegalisht, pasi kishte babain e sëmurë, por duhej t’i jepte garanci se do të arrinte ta çonte sërish në ishullin britanik. Biseda mes tyre u ka dhënë shumë kontekst personave për të arritur të vërtetojnë veprimtarinë dhe për të zbërthyer grupin kriminal.

Ky komunikim është zhvilluar më 17 shkurt 2024.

Njazi Ademaj: Alo
Agjenti: O vlla, si je? A je lodh najçik?
Ademaj: Për zotin nga një fije kështu.
Agjenti: Mirë shumë. Ore, këtë numrin ma dhanë në Londër këtu, ke kohë të flasësh një minutë?
Ademaj: Po, po, vazhdo…
Agjenti: Tani jam këtu në Londër, dëgjon. Jam në Londër të them, do vij në Shqipëri se kam plakun pak sëmurë… kur të vij bëjmë ndonjë takim për ndonjë gjë?
Ademaj: Po si more vëllaçko…
Agjenti: ëëëë
Ademaj: Po si o vëllai.
Agjenti: Se dua të iki prapë këndej, or burrë…
Ademaj: Por shih mundësinë, hajde te plaku, se andej ja bëjmë dermanin.
Agjenti: Prandaj po them, se e di si jam tani…

Nga biseda kuptohet se agjenti ishte njeri i panjohur për Njazi Ademajn. Pavarësisht kësaj, ai i beson dhe avancon më tej. Madje, Ademaj i jep garanci se dokumentet që ata sigurojnë, kanë shkallë thuajse të sigurt suksesi.

Ademaj: o vllaçko, unë garanci 100% nuk të jap, por 99%
Agjenti: O vlla dhe 90 të më japësh jam në rregull unë
Ademaj: 99, 99.
Agjenti: Kur të vij vlla nga java tjetër se jam kështu…
Ademaj: A mund…
Agjenti: Mbaje këtë numër, mos harro, shkruaj ndonjëgjë aty…
Ademaj: Mos e vraj mendjen se dhe nëse nuk e kam këtë numër, nëse iki jashtë të shkruaj Bushi.

Më pas agjenti, duke i lënë pak kohë, me datë 11 mars 2024 i shkruan në WhatsApp ku i kërkon takim për të vijuar bisedën e lënë në telefon, në mënyrë që të arrijë qëllimin e tij për t’u kthyer sërish në Angli.

Takim mes palëve realizohet ditën e nesërme dhe duket se biseda ka shkuar shumë mirë, pasi Ademaj i ka shpjeguar të gjitha kushtet dhe paratë që duhet të paguajë “klienti i radhës”,. Por, faktikisht është agjent i mbuluar policie.

Agjenti nën mbulim me nr. kodik 341 është takuar me Njazi Ademajn dhe kanë diskutuar për mundësinë e udhëtimit drejt Anglisë me dokumenta false. Ademaj i ka shpjeguar se mund t’i ofronin paketë të plotë ku përfshihej kartë identiteti, leje drejtimi, një pasaportë me çip dhe bileta udhëtimi, kundrejt pagesës prej 10 mijë eurosh.

Momentet e dorëzimit të fotove dhe gjithçka janë regjistruar në distancë. Anëtari i grupit të falsifikatorëve i ka shpjeguar se duhet të udhëtonte drejt Barcelonës në Spanjë. Aty do të merrte dokumentet dhe do të nisej drejt Dublinit në Irlandë e më pas drejt Anglisë. Për pagesën, Ademaj i ka kërkuar ta linte garant në Shqipëri dhe pasi të kalonte kufirin të bëhej pagesa nga ai person. Pra, e njëjta skemë me episodet e tjera.

Më 25 mars, Njazi Ademaj i kalon kontaktet e agjencisë “Domi Travel”, oficerit të infiltruar ku i shpjegon se duhej të fliste me ta që të merrte dokumentet në qytetin e Tarragonës.

Agjenti është takuar me shoferin e agjencisë Jugert Gashin, pranë hotel “Tarraco Park”. Ky i fundit e drejton të takonte një shtetas tjetër, pasi atje kishte parkuar furgonin dhe ndodheshin dokumentet.

Dorëzimi i vëzhguar nga ana e grupit hetimor është bërë nga shoferi tjetër, Adrian Mema. Ky i fundit i ka dorëzuar pasaportën italiane të falsifikuar me gjeneralitetet e Matteo Ceresa, i datëlindjes 20 janar 1989, i lindur në Bolzano.

Pas këtij takimi, Ademaj i kërkon agjentit të infiltruar foto të pasaportës false dhe asaj shqiptare, në mënyrë që të priste biletat për në Dublin. Grupi kishte njerëz dhe në Spanjë, pasi Ademaj e lidh me një tjetër kontakt të paidentifikuar nga ana e SPAK. Ky i fundit i jep të gjitha udhëzimet se si agjenti duhej të vepronte. Rreth orës 19:00, pasi i ishte kërkuar të shkonte në aeroport, agjentit i dërgohen në telefonin e tij fotot e biletave.

Agjentit i dërgohen fotografi të dy bileta të udhëtimit në WhatsApp, një e prerë me pasaportën italiane drejt Dublinit dhe një e prerë me pasaportën shqiptare me kthim në Tiranë. Ai e udhëzoi që gjatë kontrollit fizik, njërën ta mbante me vete dhe njërën ta mbante në duar. Gjatë kontrollit të pasaportave të tregonte pasaportën shqiptare dhe të tregonte se po kthehej në Tiranë, ndërsa më pas të shkonte drejt fluturimit të Dublinit. Nëse në Dublin e kapnin e orientoi t’i thoshte autoriteteve se në Shqipëri donin ta vrisnin dhe ta merrte në telefon nëse kishte probleme të tjera, por në asnjë moment nuk i tha se do e takonte, por e sqaroi në cel.

Top Channel