Bota drejt luftës së 3-të botërore me armë bërthamore? Ja si po e sfidon Putini Perëndimin

24/02/2022 19:10

Lufta Ukrainë-Rusi është padyshim kryefjala e ditës. Ndodhemi përballë një situate të vështirë ku nuk dimë se çfarë do të ndodhë.

Kërcënimet e Rusisë u bënë realitet, pasi Ukraina u sulmua natën e kaluar.

Në një analizë në “Top Talk”, moderatori Denis Dyrnjaja ngriti pyetjen nëse po ndodhemi përballë një rivendosjeje ekuilibrash botërorë.

Sipas analistit Skënder Minxhozi, bota ndodhet në një vijë të kuqe mes Ukrainës dhe hapësirës që zënë shtetet anëtare të NATO -s.

“Artikulli i pestë, neni i pestë i NATO-s parashikon se edhe Britania e Madhe të futet në luftë teorikisht me Rusinë nëse sulmon pyjet e Lituanisë ose pjesën lindore të Lituanisë. Ndodhemi përballë një vije të kuqe që është kufiri midis Ukrainës dhe hapësirës së NATO-s e cila konsiderohet si tabu dhe e paprekshme. Nuk besoj se Putini me fushatën e tij në Ukrainë të shkojë diçka përtej një mësimi të mirë për një regjim që ai do ta quajë nazist megjithëse kryesohen nga një president hebre. Një vend që drejtohet nga një hebre akuzohet si nazist nga Kremlini”, u shpreh Minxhozi.

Top Channel