‘Komisioni Hetimor për Inceneratorët i paligjshëm. Çështjen e heton SPAK-u’/ Juristi Kreshnik Spahiu argumenton përse

23/02/2022 18:15

Prej më shumë se 4 orësh kryeministri Edi Rama po dëshmon në komisionin hetimor për Inceneratorët. Seanca është shoqëruar me debate të shumta mes Ramës dhe kryetares së këtij komisioni Jorida Tabaku.

Rama i ka mbrojtur të tre veprat duke thënë se ato janë në të mirë të interesit publik. Juristi Kreshnik Spahiu tha në Top Talk se ky komision është i paligjshëm pasi është një dosje të cilën mund ta hetojë vetëm SPAK.

Kreshnik Spahiu: Unë si një ekspert i të drejtës penale do të gjykoja që ky komision është i kundërligjshëm që do të thotë për çdo çështje organi ka nisur procedim penal çdo gjykim tjetër administrativ, politik, civil duhet të pezullohen. Nuk mund të ketë asnjë mbivendosje mbi hetimin penal.
Mendoj që një hetim penal me një debat politik e dëmton SPAK dhe organin e prokurorisë në lidhje me hetimin dhe zbardhjen e çështjes. Kemi rastin e parë kur prokuroria heton me një masë sigurie arrest . Vërtetë Saimir Tahiri u dënua por tre vjet ka qenë hetuar i lirë, ndërsa Lefter Koka ish-ministri është hetuar nën arrest. Pra ka një vullnet të plotë të organit të akuzës për të hetuar anëtarët e qeverisë. Atëherë për çfarë shërben nga ana tjetër ky komision? Ky komision e pengon hetimin e prokurorisë. Së dyti mund të dëmtoje provat gjatë rrugës së debatit politik. Së treti i përgatit palët dhe të dyshuarit për akuzat e organit procedues. Së katërti unë kam dyshimet e mia që kemi të bëjmë me një marrëveshje të heshtur politike.

Denis Dyrnjaja: Për të krijuar një lloj show politik?

Kreshnik Spahiu: Unë mendoj që ata që fitojnë këtu janë Edi Rama dhe Lulzim Basha, PS dhe PD e mbetur . Mendoj që në kohë afatshkurtër kryeministri po humbet kjo është një kosto që ai merr, po afatgjatë ai fiton . Së pari është një skemë politike sepse Lulzim Basha dhe partia e tij e mbetur me pak njerëz po faktorizohet, po merr një kauzë që nuk është e saj . Kam dhe disa rezerva në lidhje me komisionin e sotëm, gjysma e PD janë juristë, dhe Basha ka vendosur një njeri që s’ka dijeni për këtë gjë , pra Tabakun, binte mediokriteti i saj në sy tej mase, sikur të ishte parukiere. Sot pyetjet ishin në një nivel jo profesional, kjo nuk është hetim dhe as bisedë gazetarësh investigativë. Këta i dëgjon më kënaqësi se flasin me prova e fakte.

Top Channel