Amela po vijon klasën e katërt pa shoqen e saj më të mirë e cila është larguar nga Shqipëria. 9-vjecarja dëshiron që ajo të kthehet.

“Shoqja ime ka ikur jashtë me familjen e saj. Unë jam mërzitur. Më tha se do të vijë sërish por më duket se më ka gënjyer”, shprehet ajo.

Në vitin shkollor 2021-2022, në klasa kanë mbetur më shumë se 25 mijë karrige bosh. Rënia më e ndjeshme e nxënësve ndihet në gjimnaz ku ka më pak se 17 mijë gjimnazistë. Ndërsa në shkollat 9-vjecare nga 286 mijë fëmijë që kanë qenë vjet, numri ka zbritur në 278 mijë.

“Jemi më pak nxënës se kanë ikur jashtë shtetit ose ka disa edhe që kanë ndërruar shkollë. Nga 31 jemi 27 sot”, thonë nxënësit.

Ndonëse më herët ka pasur mbipopullim, numri i nxënësve është ulur edhe në institucionet arsimore të qytetit, kjo jo vetëm për shkakun e emigrimeve apo se ka më pak lindje, por edhe për arsyen e rajonizimit të shkollave; pasi regjistrimet e nxënësve në klasë të parë dhe vit të parë u bënë sipas vendbanimeve. Në këtë mënyrë do të shpëtonin disi shkollat e zonave rurale nga mbyllja.

Për shembull, në gjimnazin Qemal Stafa, I renditur si një nga shkollat më të mira publike të kryeqytetit, numërohen sot 1120 nxënës, 100 gjimnazistë më pak se vjet.

Top Channel