Përtej një fotoje! Adriatik Lapaj rrëfen çfarë bisedoi me Ambasadoren Amerikane Yuri Kim

02/02/2022 17:11

Avokati Adriatik Lapaj tregoi sot në Top Talk se çfarë bisedoi me Ambasadoren Amerikane Yuri Kim në një intervistë me gazetarin Denis Dyrnjaja.

Lapaj tha se ky nuk ishte një takim rastësor, dhe se ai e ka takuar herë pas here ambasadoren e Shteteve të Bashkuara.

Pjesë nga intervista

Dyrnjaja: Ishte një takim rastësor?

Lapaj: Nuk ishte rastësor,e kam takuar në vazhdimësi ambasadoren, në fillim fare e kam takuar në një aktivitet për pastrimin e detit dhe prej atëherë jemi takuar dhe në disa aktivitete të ndryshme . Dje ka qenë një kafe pune, ku kemi diskutuar për problematikat e familjeve në nevojë, i kam shprehur mendimet e mia.

Dyrnjaja: Të pyeti apo ia the vetë?

Lapaj: Ishte një takim shumë fluid, ato që edhe ajo vetë i ka publikuar në rrjetin e saj social, është folur në lidhje me demokracinë, të drejtat e qytetarëve për procese referendare, për faktin se qytetarët nuk duhet t’i delegojnë shumë të drejtat por duhet t’i kërkojnë ato , ta ndërtojnë vetë demokracinë, se demokracia është një gjë që nuk dhurohet po njerëzit duhet ta kapin këtë mundësi dhe zonjës ambasadore i ka bërë përshtypje kjo qasje e imja për këtë koncept. Pra i qytetarit që angazhohet vetë në jetën e vendit pa prit nga të tjerët.

Dyrnjaja: Si mendonte ambasadorja që shqiptarët janë njerëz dembelë apo janë të angazhuar?

Lapaj: Nga takimi me të kuptova që modeli i njerëzve të angazhuar duhet të shtohet në këtë vend përtej ndasive dhe llogoreve politike që zihen nga mëngjesi në darkë . Të nesërmen e zgjedhjeve qytetarët duhet të njerëz që kërkojnë llogari për të drejtat e tyre.

Dyrnjaja: Ka një teori që po qarkullon shpesh në media, ajo për një tepri të prezencës së ambasadores në punët e brendshme të vendit, si mendon është e tepruar kjo gjë?

Lapaj: Nëse më pyet mua në parim, unë them se ne shtetin tonë, duhet ta ndërtojmë vetë, drejtësinë duhet ta bëjmë vetë, shëndetësinë vetë dhe miqtë në këtë vend duhet t’i respektojmë për aq sa miqtë respektohen. Problemi është që ne kemi dështuar të bëjmë drejtësi, për të qeverisur vendin në mënyrë demokratike, kemi dështuar të krijojmë shtetin e së drejtës dhe në momentin që kemi dështuar në këto, ju e mbani mend që para disa vitesh problematika më e madhe që dilte në çdo sondazh ishte drejtësia. Dhe ne kërkuam ndihmën e aleatit tonë më të madh , dhe a ka probleme ky proces, unë jam nga të parët që i kam ngritur ato. Kam folur dhe me ambasadoren për këtë.

Top Channel