“Marrëzi, turp, skandal”/ Vuçiç e Brnabiç dënojnë vendimin për dëbimin e Djokovic

16/01/2022 18:47

Ka përfunduar me zhgënjim të thellë për tenistin serb Novak Gjokovic, beteja e bujshme ligjore për të qëndruar në Australi duke mos arritur kështu ëndrrën e tij për një rekord të 21-të Grand Slam.

Gjyqtarët australiane refuzuan apelin e tij, pasi qeveria anuloi vizën e lojtarit të pavaksinuar, për herë të dytë këtë muaj për arsye të sigurisë së  shëndetit publik.

Gjokovic tha se ishte “jashtëzakonisht i zhgënjyer”, por se e respektonte vendimin, ndërsa mori avionin për të udhëtuar drejt Dubait.

Dëbimi i Gjokovic shkaktoi reagime të forta, e mes tyre edhe të presidentit Aleksander Vuçiç:

 “Ata që mendojnë se i janë përmbajtur disa parimeve duke e bërë këtë, vetëm kanë treguar se nuk kanë parime. U keqtrajtua tenisti më i mirë në botë për dhjetë apo njëmbëdhjetë ditë, vetëm për ta dëbuar atë. Po të ishte thënë se kush nuk është i vaksinuar nuk lejohet të hyjë (në Australi), ose Novak Gjokovic nuk do të kishte ardhur, ose do të ishte vaksinuar. Duket se ata donin show, duke synuar Gjokovicin, për të treguar se si funksionon rendi botëror i gjuetisë së shtrigave”.

E po kaq e ashpër ishte edhe kryeministrja serbe Ana Brnabiç:

“Ky është një vendim skandaloz, jam e zhgënjyer. Tregoi se si funksionon shteti i së drejtës në disa vende dhe se si në disa të tjera nuk funksionon”.

Viza e Gjokovicit u anulua fillimisht më 6 janar në aeroportin e Melburnit disa orë pasi ai mbërriti për të garuar në Grand Slam-in e parë të vitit 2022 në “Australia Open”.

 

 

 

Top Channel