Ndalohet sërish Djokovic/ Kampioni i tenisit pret seancën e deportimin nga Australia

15/01/2022 20:01

Është kthyer në një çështje shtetërore për Australinë pjesëmarrja e Novak Djokovic në Australian Open. E gjithë si pasojë e faktit se tenisti serb nuk është vaksinuar, ndërsa shteti australian në këtë pikë ka rregulla të forta për të evituar përhapjen e COVID-19.

Të hënën e shkuar, pasi ishte ndaluar më parë, 34-vjeçari në një seancë gjyqësore mori OK për të vazhduar qëndrimin në Australi dhe për të marrë pjesë në turneun prestigjioz. Mirëpo, së fundmi është Ministri i Integrimit, Alex Hawke, i cili ka vendosur të ushtrojë fuqinë e pozicionit të tij dhe të marrë vendimin për të anuluar vizën e Noles me arsyetimin se ai është një rrezik për shëndetin publik duke përmbysur të gjithë situatën.

Ndërkohë avokatët e serbit janë përgatitur menjëherë për të apeluar këtë vendim të Ministrit dhe mbetet për t’u parë nëse kërkesa e tyre do të ketë sukses, teksa nëse apeli rrëzon kërkesën e avokatëve të Djokovic, atëherë tenisti numër një i botës do të duhej të largohej menjëherë nga Australia. Nga ana tjtër edhe koha nuk është në favor të Djokovic pasi turneu fillon më datë 17 janar.

Top Channel