Pioli: Gabova me formacionin, Theo Hernandez i jashtëzakonshëm

14/01/2022 16:19

Milan siguroi kualifikimin në fazën çerekfinale në Kupën e Italisë përballë Genoas. Një sukses i arritur me vështirësi, pasi kuqezinjtë vuajtën jo pak, madje duke prekur edhe kohën shtesë, moment në të cilin te besuarit e Piolit përmbysën skuadrën e Shevchenko-s.

Në përfundim të takimit që u fitua 3-1, tekniku italian, Stefano Pioli u shfaq i pakënaqur, por duke pranuar se problemi nisi nga ai. Ai deklaroi se nuk kishte bërë një punë të mirë me formacionin titullar dhe skuadrës i mungoi energjia në fillimin e takimit.

Pjesa e parë, sipas teknikut italian, nuk shkoi aspak mirë, jo vetëm për shkak të golit të pësuar, por më shumë për mentalitetin e treguar nga lojtarët në fushën e lojës. Diçka e cila sipas trajnerit do të studiohet me imtësi për të mos u përsëritur më.

Kualifikimi ishte i domosdoshëm dhe këtë e pranoi edhe Pioli, i cili ishte i lumtur me rezultatin dhe avancimin për në fazën çerekfinale të Kupës. 56 vjeçari vijoi më tej në lidhje me performancën e mbrojtësit Theo Hernandez, duke pohuar se francezi po kalon një formë të shkëlqyer dhe se po ndihmon skuadrën të ketë një rritje progresive.

Në fund ai vlerësoi dhe grintën e Rafael Leao-s, i cili edhe pse e nisi nga stoli i dha indicien e duhur takimit dhe shokëve të skuadrës. Në fazën çerekfinale, Milan do të pres fituesin e çiftit Lazio-Udinese, me takimin që do të luhet më 18 janar.

Top Channel