Një oficer policie, i cili u përfshi në një aksion për të zbuluar hajdutët e postës, që rezultoi se ishin dy fëmijë, më telefonoi gjatë javës. Po më shfaqte trishtimin e tij për gjendjen tmerrësisht të mjerë ku gjendeshin dy minorenet. Dhe me atë në distancë, që më tregoi shtëpinë e hajdutëve, rindërtova historinë e fëmijës mes pendesës, lutjes se shokët nuk duhet t’ia mësonin emrin, pasi do ta tallnin në shkollë, dhe trishtimit se atje ku punonte si lavazhier pas mësimit, nuk po e merrnin në punë.
Sot u ktheva në shtëpinë e E., 15-vjeçarit për të cilin raportova gjatë javës se si u arrestua pas një vjedhjeje , që e inicioi me bashkëmoshatarin e tij me shpresën se kështu po prisnin një biletë për të shpëtuar nga mjerimi. Të dy fëmijët, veç varfërisë iu hapën akoma më shumë telashe prindërve. Të shkruash për fëmijë që shtyhen të vjedhin nga varfëria , dhe të shkruash për fëmijë që nuk kanë as bukë në shtëpi, janë dy gjëra të ndryshme.
Të fundmet lekë që kishin mbledhur pikë mbas pike ua zhvati një avokat kryesisht, i cili u mburr se me aftësinë e tij (sepse foli shumë në gjykatë), mundi të lirojë të dy fëmijët. Në të vërtetë, ata shpëtuan nga burgu mbasi janë nën moshë. Avokati që realisht i ka vjedhur duke i mashtruar, me siguri do të mashtrojë kështu të mjerë të tjerë, për të cilët 500 mijë lekë të vjetra janë çdo gjë. Dhe e diela mbas lirisë nis kështu për këtë 15-vjeçar. Shikon nënën që përzien krundet e qenit, ajo hedh një grusht miell në tepsi dhe sajon bukën. Bukë që nuk kalohet poshtë, pëshpërit djali, nuk hahet. I verdhë, i paushqyer, ashtu si dhe shoku tjetër me banesë poshtë urës së Kamzës (ky I fundit me babain në Afrikë e nënën pa punë).
Përpiqem ta ndjej shijen e një buke me krunde që duhet ta hante qeni, dhe dridhem. Dridhem teksa shoh një grua të sëmurë që nuk ka para për ilaçe që të kurohet, një kryefamiljar që përfundoi në burg, madje atë e degdisën në Fushë-Krujë, sa më larg të mundeshin sepse është i mjerë, s’ka para, s’ka mundësi të zgjedhë e paguajë një avokat personal. Mbasi u kthye nga puna si murator, në banesë e priste policia që kontrolloi mos gjente paratë e vjedhura nga i biri dhe një pistoletë, mes rraqesh të falura e të sajuara, që derisa të dalë gjendja e saj teknike ai do presë në burg.
Ky shkelës ligji para syve të drejtësisë e kujtdo puritan, ishte i vetmi që sillte të ardhura nga puna si murator. Dhe sakaq, dibrani i pashpresë edukonte të bijtë “rroni me nder”. Ajo bukë, që duhet të heqë vaktin me turshi është përditë e përditë në tavolinën e E. Dhe dridhem, sepse asaj buke të pangrënshme dua t’i ngre një statujë që çdonjëri të kujtohet duke kaluar aty se ne kemi pushuar së qeni njerëz. Dua të shkruaj ngado nëpër mure, E. s’ka të hajë, po ha bukën e qenit ndaj dhe vodhi. Por kujtoj moralin dhe ligjin që janë të ftohtë dhe asaj që duan ta dinë se krundet nuk hahen dhe barku i një fëmije që po rritet s’të lë të flesh. Ja kështu njoha një tjetër fëmijë, të cilin dua ta shpëtoj që mos të kalojë në rrugën që ndonjëherë një shoqëri indiferente e destinon të bëhet kriminel.
Anila Hoxha
Top Channel