Seferi lider i Tiranës, protagonist në fitoren ndaj Kastriotit

07/12/2021 19:59

Tirana ka marrë fitoren e dytë radhazi në Abissnet Superiore teksa ka mposhtur me rezultatin e pastër 3-0, Kastriotin.

Bardheblutë ishin në udhëheqje të ndeshjes gjatë gjithë kohës dhe nuk e vendosën për asnjë moment në diskutim trepikëshin.

Sinjalet e para të kryeqytetasve erdhën me anë të Vesel Limajt që provoi në minutën e 10 nga distanca e pastaj u ndal në hyrje të zonës nga mbrojtja kundërshtare. Megjithatë, aroma e golit po ndihej dhe ishte Taulant Seferi ai i cili zhbllokoi shifrat në minutën e 21. Sulmuesi u tregua i saktë në hyrje të zonës dhe nuk i la mundësi reagimi portierit Sali.

Sakaq, edhe pas golit, të besuarit e trajnerit Orges Shehi nuk e ulën ritmin dhe vazhduan të ishin ofensivë në fushë. Në këtë formë, erdhi edhe goli i dytë me Ngoo që përfitoi nga një gabim i Karakaçit dhe nisi të vetëm përpara Seferin. Lojtari nga Kumanova edhe njëherë tjetër u tregua i ftohtë dhe shënoi të dytin për të tijtë në minutën e 45.

Me këtë rezutat u mbyll pjesa e parë, ndërsa sa i takon fraksionit të dytë, Tirana ishte pranë shënimit të golit të tretë me anë të Erion Hoxhallarit. Kapiteni ekzekutoi shumë bukur një goditje dënimi, por u ndal vetëm nga traversa.

Gjithsesi, për të vendosur pikët në kasafortë, mendoi Michael Ngoo, i cili këtë herë u shërbye nga Seferi në minutën e 74 dhe përballë Salit nuk e pati të vështirë për të shënuar.

Deri në fund, rezultati nuk ndryshoi dhe bardheblutë marrin fitoren e dytë radhazi duke ruajtur vendin e parë të klasifikimit me 27 pikë, ndërsa nga ana tjetër, Kastrioti zhytet në fund me vetëm 5 pikë të grumbulluara pas 12 javëve kampionat.

Tirana-Kastrioti 3-0 Seferi 22′, 45′, Ngo’o 74′ (Air Albania & SuperSport 4)

Kronika e ndeshjes:
90′ + 3 – Mbyllet sfida me fitoren e pastër 3-0 të bardhebluve, që mbeten në krye edhe pas javës së 12, ndërsa Kastrioti komplikon ndjeshëm mbijetesën…
74’ – Gooool. Seferi vertikalizon bukur për Ngo’o, që është sërish i vetëm me Salin dhe këtë herë nuk gabon, duke shënuar golin e tretë për bardheblutë.

72’ – Totre vertikalizon mirë për Ngo’o, që vihet i vetëm përballë Salit, por është gardiani krutan që ndërhyn mirë dhe shpëton të tijtë nga goli i tretë.

62’ – Kombinim i bukur i bardhebluve, me Totren që provon nga distanca, por topi përfundon larg kuadratit.

56’ – Hoxhallari ekzekuton një goditje dënimi në pozicion të prirët me portën, por topi i gjuajtur prej tij përplaset në traversën e portës së Salit.

– Mbyllet pjesa e parë me avantazhin 2-0 të Tiranës…
45’ – Goool. Gabon Karakaçi dhe Ngo’o pason te Seferi, që i vetëm me portierin nuk fal dhe shënon golin e dytë për bardheblutë.

21’ – Goooool. Zhbllokon sfidën Tirana. Taulant Seferi merr një pasim mbi vijën e zonës dhe lëshon një goditje perfekte topazi, duke dërguar topin në shtyllë e më pas në rrjetën e Salit. Bardheblutë në avantazh.

17′ Kundërsulm i shpejtë i Tiranës, me Seferin që shërben për Limajn, por fantazisti bllokohet në momentin e fundit, duke humbur një mundësi të mirë shënimi.

10′ – Tentativa e parë e Tiranës, Totre fton në aksion Limajn, por goditja e mesfushorit përfundon shumë larg kuadratit të portierit Sali…

– Starton me rreth 7 minuta vonesë sfida në “Air Albania” dhe shkak u bë mungesa e ambulancës, që mbërriti me vonesë…

Formacionet zyrtare:
Tirana (4-2-3-1): Bekaj; Toshevski, Behiratce, Hoxhallari, Ismailgeci; Toli, Totre; Limaj,
Gjumsi, Seferi; Ngo’o
Trajner: Orges Shehi
Kastrioti (4-3-3): Sali, Neziri, Kodra, Hussein, Prodani, Karakaçi, Basha, Ogebugu, Onanuga, Greca, Ajazi
Trajner: Ramazan Ndreu

FOTO GALERI
15/27

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA