Figurat e politikës shqiptare kanë reaguar në rrjete sociale për ndarjen nga jeta të ish senatorit amerikan, Bob Dole.

Presidenti Ilir Meta i shpreh mirënjohje për rolin dhe kontributin e vyer në avancimin e proceseve demokratizuese dhe euro-atlantike të Shqipërisë, si dhe për mbështetjen e hapur dhe të pakufizuar të luftës për liri dhe pavarësi, deri në krijimin e shtetit të Kosovës.

Thellësisht i pikëlluar për humbjen e mikut të madh të shqiptarëve, Senator dhe kandidat për President të SHBA, Bob Dole.
Senatori Dole ishte një prej personaliteteve më të spikatur të politikës amerikane dhe u bë një nga zërat më të fuqishëm dhe më me ndikim në mbrojtje të shqiptarëve dhe kauzave të tyre.
Do t’i jemi përherë mirënjohës këtij burri të madh të popullit amerikan, për rolin dhe kontributin e vyer në avancimin e proceseve demokratizuese dhe euro-atlantike të Shqipërisë, si dhe për mbështetjen e hapur dhe të pakufizuar të luftës për liri dhe pavarësi, deri në krijimin e shtetit të Kosovës.
Jam pranë familjes së Tij dhe popullit amerikan dhe u bashkohem lutjeve të tyre, që shpirti i Senatorit Dole të prehet në paqen e merituar!
Do të na mungojë shumë të gjithëve!”, shkruan Meta.

Ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha ka rrëfyer plot trishtim telefonatën e fundit me senatorin.

“Me trishtim mora lajmin për ndarjen nga jeta të Bob Dole, mik i madh i shqiptarëve, që na ka qëndruar pranë në çastet më vendimtare dhe hapat më të rëndësishëm të kombit tonë.

Senatori Bob Dole ishte një nga zërat më të fortë dhe përcaktues në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Nga çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës, tek sprovat e rrugës Euro-Atlantike të Shqipërisë dhe Kosovës, mbështetja e tij ishte një bekim i pazëvendësueshëm për kombin tonë.

Kam akoma të freskët bisedën e fundit me Senatorin Dole, javë përpara zgjedhjeve, këshillat, urimet dhe dëshirat e tij për Shqipërinë dhe Kosovën.

Mirënjohje të përjetshme për këtë kolos të demokracisë amerikane! Lutjet dhe mendimet e mija shkojnë për familjen e Senatorit Dole, bashkëpunëtorët dhe kolegët e tij dhe kombin mik amerikan!

U prehtë në paqe!”, shkruan Basha.

Reagime kanë ardhur edhe nga Kosova.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shprehur ngushëllimet e tija dhe të popullit të Kosovës për popullin amerikan me rastin e vdekjes së ish-senatorit republikan Bob Dole.

Në një postim në Twitter Kurti thotë se ndjehet i pikëlluar nga vdekja e senatorit Bob Dole, duke kujtuar atë si përkrahës të pazëvendësueshëm të lirisë së Kosovës.

“Ndjehem thellësisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të senatorit Bob Dole. Duke i dërguar ngushëllime të përzemërta familjes Dole dhe kombit amerikan, ne vajtojmë dhe nderojmë një hero amerikan dhe një përkrahës të pazëvendësueshëm të lirisë së Kosovës. U prehtë në paqe”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish-senatorit amerikan Bob Dole.

Ai, me anë të një postimi në  Twitter, ka shkruar se Kosova ka humbur një mik të madh.

“Pusho në paqe Senator Bob Dole. SHBA humbi një patriot të vërtetë, Kosova humbi një mik të madh. Senatori Dole ishte një mbështetës i shquar i lëvizjes sonë për liri, pavarësi dhe demokraci. Emri i tij është gdhendur përjetësisht në themelet e shtetit tonë”, ka shkruar Abdixhiku.

Ish senatori republikan, Bob Dole, ndërroi jetë këtë të dielë në moshën 98-vjeçare.

Në muajin shkurt të këtij viti, ish senatori Dole, bëri të ditur se ishte diagnostikuar me kancer në mushkëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA