Programi Artkand ka mbërritur një shitje rekord në episodin e 29-të.
Vjeshta, kjo vepër e vitit ’36 të Vangjush Mios, vaj në kanavacë, është shitur me vlerën 12 mijë euro. Vepra u publikua për herë të parë në programin tonë. Ajo paraqet peisazhin e një prej rrugëve të fushës së Korçës.
Kjo nuk ishte e vetmja shitje, sepse edhe kjo Natyrë e Qetë e Alush Shimë, u shit me vlerën 3000 euro. Në program për herë të parë u pasqyrua kjo vepër e quajtur “Maskat” e autorit Gazmend Leka. Teknikë e përzier, 55×70 cm, viti 1989, çmimi 2000 euro.
Kjo pikturë është një nga veprat e ciklit prej 300 vizatimesh, “Artistët e Rrugës”, krijuar në një vit aspak të lirë për artistët shqiptarë Aso kohë vepra ka qenë pjesë e një këndvështrimi absurd dhe jashtë normales. Sot është një vepër që shënon pikën e kthesës në historinë e zhvillimit të artit të Lekës.
Si dhe Simon Rrota, u prezantua në program nëpërmjet tablosë së fshatit të tij të lindjes, Fshati Shkjezë, vaj në kompesatë, 50x30cm, me çmimin fillestar 9000 euro.
Simon Rrota i përket tërësisht Shkodrës, duke pikturuar pothuajse gjithçka që nga tradita dhe kostumet popullore e deri tek rrugicat, njerëzit, portretet, pazarin.
Nën autorësinë dhe moderimin e Jetona Kocibellit dhe të ftuar Genc Përmetin Artkand vjen çdo të shtunë në orën 11:00 live në ekranin e Top Channel.
Top Channel