Tifozët polakë shkojnë në Durrës/ Në plazh në pritje të ndeshjes së futbollit Shqipëri-Poloni

11/10/2021 12:27

Ndonëse është vjeshtë dhe moti i paqëndrueshëm, mjaft tifozë polakë po shijojnë plazhin e Durrësit, në pritje të ndeshjes Shqipëri – Poloni, që do të luhet të martën në kuadër të kualifikimeve për botërorin “Katar 2022”.

“Është hera e parë në Shqipëri dhe po kalojmë disa ditë pushime këtu dhe një ditë do të shkojmë në Tiranë për të parë ndeshjen. Është kaq bukur dhe mirë. Them të vij sërish me gruan time”.

“Do të shkoj të ndjek ndeshjen Shqipëri-Poloni. Do të rrimë në Durrës 6 ditë dhe një ditë në Tiranë për të parë ndeshjen në stadium. Është hera ime e 5-të në Shqipëri. Unë jam një mbështetës i zjarrtë, ultra-fans i Polonisë”.

Jo vetëm tifozë polakë dhe turistë të tjerë të huaj. Plazhi i Durrësit mbetet zgjedhja e parë edhe për shumë qytetarë që duan të kalojnë orë apo ditë të tëra pushimi buzë detit. Fillimi i stinës së shirave nuk i ka stepur ata. Shumë prej pushuesve e konsiderojnë plazhin si oaz qetësie në këtë stinë dhe ambientin më të përshtatshëm kurativ për të sfiduar Covid-19.

“Ultra, gjithçka është ultra. Unë jetoj në Greqi, po kam ardhur këtu se më pëlqen shumë plazhi i Durrësit. Më pëlqen në verë se e ka detin shumë të ngrohtë dhe më pëlqen në dimër për ajrin e pastër se bëj xhiro në mëngjes e pasdite. Do të rri deri në nëntor”.

“Sido që të jetë koha, Durrësi është Durrës. Këtu nuk ka dimër, po një ambient të shkëlqyer. Veç beharit, madje vjeshta e dimri janë dhe më të bukur. Jam nga Tirana. Tiransit e vlerësojnë më shumë Durrësin që janë këtu e s’e shfrytëzojnë. Ajo që është më kryesorja, masa anti-covid. Këtu s’ka covid. Po dole bëre stërvitje, ventilove mushkëritë, rrite imunitetin… kjo është gjëja më e mirë”.

Top Channel