Një brazilian do të jetë dhurata e parë e arabëve për Newcastle

09/10/2021 09:57

Newcastle është zyrtarisht në pronësinë e fondit saudit PIF due tashmë ka filluar të mendojë si klub i madh, pasi paratë duket se nuk janë më një problem për “Magpies”.

Prej dy ditësh mediat angleze vijojnë të shtojnë emrat në listën e trajnerëve që do të pasojnë Steve Bruce, ndonëse vetë arabët preferojnë italianin Antonio Conte, që për vetë profilin që ka, do të evidentonte menjëherë ambiciet e mëdha të klubit.

Megjithatë Conte nuk është nga ata që luftojnë për mesin e renditjes dhe para se t’i thotë po rikthimit të tij në Premier League, do të kërkojë garancinë e ndërtimit të një ekipi konkurrues.

Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e klubit po lëvizin në merkato dhe emri i parë që do të ndezë entuziazmin e tifozërisë, pritet të jetë braziliani Philippe Coutinho, i cili nuk bën pjesë në planet e Barcelonës dhe do të mirëpriste një rikthim në Premier League, ku ka kaluar edhe vitet më të bukura të karrierës me fanellën e Liverpoolit.

Braziliani është lehtësisht i arritshëm, pasi Barça mund të pranojë ta “heqë qafe” edhe me një shifër modeste, vetëm për t’u liruar nga paga e tij e lartë, që ka komplikuar jo pak federimin e lojtarëve të tjerë.

Plani i “Magpies” është të ndërhyjnë që në muajin janar për të afruar 3-4 lojtarë dhe për ta pasur më të lehtë ndërtimin e një skuadre konkurruese verën e ardhshme, kur Anglia pritet të jetë sërish “toka e premtuar” e futbollistëve.

Top Channel