Messi: Largimi nga Barça ishte i dhimbshëm, m’u prishën planet

09/10/2021 14:00

Lionel Messi rikthehet të flasë për largimin nga Barcelona, klub në të cilin ka shkruar historinë për vite të tëra dhe e bën këtë në një intervistë për revistën franceze “France Football”.

Argjentinasi 6 herë fitues i Topit të Artë ka rrëfyer se largimi nga “Camp Nou” ka ardhur në mënyrë të befasishme dhe se pas triumfit në Copa America, ishte përgatitur për të fituar sërish edhe me katalanët.

“Të jem i sinqertë, pata folur me drejtuesit dhe kisha vendosur të qëndroja te Barcelona. Mendoja se ata i kishin zgjidhur problemet dhe pritej vetëm firma ime për kontratën e re, por kur u ktheva, u befasova, pasi më thanë se nuk mund të firmosnim dhe duhej të gjeja një ekip tjetër. Largimi nga Barcelona ishte shumë i dhimbshëm për mua, pasi aty jam rritur dhe kam kaluar vitet më të mira, por nuk kisha zgjidhje tjetër. Mu prishën planet, por menjëherë më kontaktuan shumë klube, por PSG u shfaq bindëse dhe arritëm shumë shpejt një marrëveshje”, deklaroi argjentinasi.

Ndërkohë dje, presidenti Laporta zbuloi se pikërisht për shkak të kufizimeve të La Ligës, nuk mund t’i ofronin një kontratë Messit, madje shtoi se kishte shpresuar edhe që argjentinasi të luante falas.

Pas Messit, klubi katalan u detyrua të largojë edhe lojtarë si Griezmann e Pjaniç, ndërsa kapitenët Pique, Busquets e Jordi Alba ulën pagat për të ndihmuar skuadrën të respektojë parametrat e imponuara nga La Liga./SuperSport/

Top Channel