Rritja e çmimeve e pajustifikuar. Pano Soko kërkon të hiqet taksa e rrugës në çmimin e karburanteve

06/10/2021 16:48

Rritja e çmimeve është kthyer në një diskutim të madh pasi do të shtrenjtohen faturat, ndërsa ende nuk ka një plan për menaxhimin e masave.

Ditën e sotme, ka një protestë rreth orës 17:00 dhe për këtë ka folur në emisionin “Top Talk” ekonomisti Pano Soko, i cili së fundmi po bën llogaritë e padomosdoshme të qeverisë, të cilat mund të mbulonin këtë pjesë të rritjes së çmimeve.

Sipas tij, një nga pikat e propozuara nga PD që vlen të shqyrtohet nga qeveria është heqja e taksës së rrugës në çmimin e karburanteve.

Pano Soko: Rusia vendosi një taksë për grurin e saj që eksportonte e cila u reflektua më pas në rritjen e çmimit të grurit dhe më pas në çmimin e miellit, por sasia e rritur e çmimit e përkthyer në 1 kg bukë nuk ishte kaq e madhe sa në treg. Kështu kishte një kombinim të një ngjarje dhe një spekulimi që u fry.

Në momentet e tanishme po shohim një spekulim me cështjen e karburanteve, naftën dhe benzinën. Cmimi aktual i tregut të karburanteve është mesatarizuar në këto vlera që është prej gati 1 viti. Sa doli kryeministri dhe tha që ka krizë energjetike, këta e cuan para kohe çmimin e naftës, e ngritën direkt.

Në momentin që një spekulim i ngritur në një nivel kryeministror i jep frymë spekulantëve të vegjël në treg, të cilët nuk ngurruan ta rrisin menjëherë çmimin. Nga krahu tjetër kemi që dhe në momentet që kemi rritje, pavarësisht se të gjitha kompanitë e naftës kanë rezerva të tyre, pra kanë rezerva të blera që më përpara, përvec ruajtjes së rezervës shtetërore, kanë dhe të tyre. Pra kur kemi rritje të çmimit, këtu rritet menjëherë çmimi. Këtu abuzohet me rezervën dhe kur vjen momenti që të ulen cmimet, të gjithë thonë prit se kam rezervë të blerë me cmim të lartë. Këtu do të duhej të ndërhyhej tek tregu i karburanteve. Deklarata e kryeministrit ishte frymë e madhe për spekulantët.

Protesta është për sensibilizuar dhe për të ngritur zërin për shqetësimin e qytetarëve sepse po ndikohemi të gjithë. Rrugët për gjetjen e zgjidhjes, ky shtet ka qeverinë e vet dhe është detyra e saj të gjejë një zgjidhje duke pasur parasysh prekjen sa më pak të shtresave qytetare. Pra qytetarët të preken sa më pak nga kriza.

I bëj thirrje të gjithëve që të vijnë sepse është protestë që ka mision qytetar, shpreh indinjatë për situatën dhe si qytetarët po përballen me erëra të forta të tregut. Shqiptarët e varfër e kanë të pamundur ta përballojnë.

Jam shumë dakord për lehtësimin e çmimin të naftës nga taksa e qarkullimit, shtesa me 20 lekë që u bë në vitin 2014/2015 duhet të rrëzohet sepse ka rënë sensi. Ajo u vendos se duhej buxhet për mirëmbajtjen e rrugëve.

Top Channel