Rënia drastike e Nuri Sahin, tashmë me post të dyfishtë

06/10/2021 12:32

Në 2011-ën u transferua te Reali i Madridit me shumë bojë por që nga ai moment karriera e Nuri Sahin ka ardhur vetëm në rënie.

As rikthimi te Borussia e Dortmundit ku spikati si futbollist nuk solli asnjë ndryshim, me mesfushorin turk që pas 2 sezoneve me fanellën e Werder Bremen vendosi që në 2020-ën të rikthehej në vendilindje duke firmosur me Antalyaspor.

Në një sezon e pak Nuri Sahin u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të klubit nga qyteti bregdetar i Antalyas aq sa drejtuesit tashmë i kanë besuar një detyrë akoma edhe më të madhe atë të lojtarit-trajner, pasi pa varur ende këpucët në gozhdë Nuri Sahin është emëruar trajner i ri i Antalyaspor.

Në moshën 33-vjeçare, ai duhet të vendosë nëse do të vazhdojë në rrugën gjithmonë të rrezikshme të trajnerit-lojtar ose, do të heqë dorë nga statusi i tij si futbollist për t’iu përkushtuar vetëm dhe ekskluzivisht stolit. Për momentin, gjithçka tregon se ai do të kombinojë të dy pozicionet, që është një fakt i pazakontë në botën e futbollit.

Në rast se kishte dyshime, Aziz Cetin, president i klubit, ka konfirmuar se vetë Sahin do të vendosë se çfarë do të bëjë . Sigurisht, futbollisti ka fituar shumë reputacion në klub. Në pak më shumë se një vit, ai ka mbajtur shiritin e kapitenit dhe është bërë titullar i padiskutueshëm në mesfushë. Për momentin, në të teta ndeshjet e këtij sezoni ai është aktivizuar titullar, dhe vetëm në njërën prej tyre nuk është zëvendësuar .

Antalayaspor nuk është në një moment të mirë, pasi aktualisht është e 14 -ta në renditje me tetë pikë në tetë ndeshjet e luajtura. Ecuria e dobët e rezultateve ka detyruar shkarkimin e Ersun Yanal dhe klubi ka zgjedhur një vendim novator dhe të rrezikshëm. Drejtuesi i tij i deritanishëm në fushë do të jetë gjithashtu drejtues nga stoli.

Karriera e Nuri Sahain ka marrë një kthesë të madhe teksa nga ish-futbollist i Realit të Madridit, tashmë 33-vjeçarit i duhet të provojë eksperiencën e të qenit lojtar dhe trajner njëkohësisht në fushë.

Top Channel