“Dimri i madh” i Boris Johnson: Nga “hero” i Brexit, në “njeriun e krizave”

03/10/2021 10:36

Teksa partia e tij konservatore mban kongresin e saj të 2021-shit, Boris Johnson kalon mes besnikëve të tij me një sërë krizash mbi shpatulla, duke nisur nga ajo e karburanteve që ka bllokuar rrugët e deri tek rritja e çmimeve të energjisë për shkak të furnizimit të tkurrur me gaz.

Ka po kështu shqetësime serioze se Mbretëria e Bashkuar do të përballet me mungesa ushqimesh me afrimin e Krishtlindjeve, pjesërisht kjo edhe për shkak të mungesës së punëtorëve sezonalë, ndërsa raftet e supermarketeve që tani janë boshatisur në disa zona, thotë CNN.

Herën e fundit që Johnson mori pjesë në një kongres të partisë së tij ishte kur shihej si një lider i fuqishëm e konsiderohej heroi me misionin të conte deri në fund projektin e Brexitit, i cili e kishte lënë vendin të paralizuar që prej 2016-tës.

Që prej atëherë, Johnson fitoi një shumicë parlamentare, imponoi një variant edhe më të ashpër të shkëputjes nga sa ishte menduar, u përball me skandale të shumta për mënyrën e menaxhimit të pandemisë së koronavirusit dhe është kritikuar ashpër edhe nga ish mbështetës që tani e vënë seriozisht në pikëpyetje zotësinë e tij.

Shumë janë të bindur se ngërcet e deritanishme mund të ishin shmangur, nëse kryeministri dhe qeveria e tij do t`i kishin parashikuar atehere kur duhej e do t`i lajmëronin njerëzit në kohë.

Top Channel