EU Observer publikoi një dokument plot shqetësime për sa i përket azil-kërkimit dhe krimeve nga të huajt hartuar nga Gjermania për Komisionin Europian.
Në dokument thuhet se bazuar në të dhënat statistikore të kriminalitetit për vitin 2020 Moldavia, Gjeorgjia, Ukraina dhe disa vende nga Ballkani, Shqipëria dhe Serbia janë në top listën e 10 vendeve që thyejnë ligjet.
Shqipëria në këtë listë renditet e dyta.
Gledis Gjipali nga “Lëvizja Europiane Shqipare” i tha Top Channel se të tilla shqetësime ndër vite kanë shoqëruar procesin e liberalizimit të vizave jo vetëm për Shqipërinë.
Por çfarë rreziqesh mbart për Shqipërinë letra e Gjermanisë?
“Kjo varet për tu parë nga shifrat zyrtare nëse këto shifra flasin për Shqipërinë, sepse në artikullin e përmendur përmendeshin vende si Gjeorgjia, Moldavia apo Ukraina si më shqetësuese , duhet parë nëse Shqipëria qëndron lart në këtë listë apo jo dhe masat e marra pastaj janë individuale për vendet me shkelje më të madhe”, tha Gjipali.
I pyetur nëse kjo situatë mund të rikthejë vizat për Shqiptarët Gledis Gjipali dha ketë përgjigje.
“Ka një mekanizëm pezullimi , i vendosur për të qenë më fleksibël dhe më i shpejtë, për të marrë masa, pa e penalizuar vendin plotësisht, për ta kthyer në listën negative siç kemi qenë para 2010. Dhe vendoset një pezullim 9 mujor për të marrë këtë vendim, ka një sërë hapash që merren. Ka një precedent ai i Holandës që e kërkoi për Shqipërinë në 2019 gjë e cila u refuzua nga KE pikërisht pasi nuk ishte e mbështetur ligjërisht kjo kërkesë”, u shpreh Gjipali.
Sipas statistikave të publikuara nga Eurostat, nga janari i vitit 2008 deri në korrik 2021 janë rreth 234 mijë shqiptarë që kanë kërkuar gjithsej azil në një nga vendet e Bashkimit Europian.
Gjithsej kërkesat për azil në Gjermani për periudhën në fjalë ishin rreth 95 mijë, ose rreth 40% e totalit.
Shteti i dytë më i preferuar është Franca, me rreth 63 mijë kërkesa gjithsej për azil.
Top Channel