“Socialistët mos të rrinë në bare, avionë, apo shopping center”/ Debat te Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, opozitarët shkojnë fizikisht. Nuk u jepet fjala

29/09/2021 10:28

Deputetët e opozitës, ashtu siç kishin paralajmëruar, kanë marrë pjesë fizikisht në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese. Por sikurse edhe dje, atyre u është kërkuar që pavarësisht se janë në sallën e Komisionit të logohen në mënyrë që të kenë mundësinë të marrin të drejtën e fjalës.

Por kjo është kundërshtuar nga deputetët opozitarë, të cilët me në krye nënkryetarin e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese të kërkojnë fjalën në sallë. Helidon Bushati ka theksuar se edhe deputetët socialistë duhet të vijnë në sallën e Komisionit për diskutime dhe jo të rrinë në nëpër bare, avionë, apo shopping center.

Diskutimi:

Helidon Bushati: Ne e kemi lajmëruar prezencën fizike në Komisione. Kërkoj edhe që anëtarët e Partisë Socialiste në vend që të jenë nëpër bare, avionë, apo shopping center të vijnë dhe diskutimi i problematikave të bëhet këtu kryetar.

Kryetari Arben Pëllumbi: Siç e dini në bazën të vendimit të Konferencës së kryetarëve të datës 23 shtator është marrë vendimi që mbledhjet e Komisioneve do të zhvillohen online. Kolegët e opozitës ndodhen prezente në sallë, qëndrimi i tyre tashmë dihet. Unë do dëshiroja që në mbledhjen e parë hapëse të ishim të gjithë bashkë dhe ta kishim zhvilluar atë sa më normalisht, por nuk varet nga unë. Kemi një vendim që unë jam i detyruar ta zbatoj dhe rendin e ditës ta kemi proritare në mbledhjen tonë.

Helidon Bushati: Mbledhjet të zhvillohen me prezencë fizike.

Kryetari Arben Pëllumbi: Është e pamundur që ta bëjmë me prezencë fizike, nëse dëshironi të merrni pjesë duhet të logohemi edhe këtu ku jeni në mënyrë fizike. Ne kemi kërkuar procesin e vaksinimit dhe kur të mbarojë ky proces do bëjmë të mundur edhe realizimin e mbledhjeve në mënyrë fizike.

Ndërsa në prononcimin që dha për media, nga jashtë ambienteve të Kuvendit, Bushati theksoi se maxhoranca po kërkon ta kthejë parlamentin në tallava.

Helidon Bushati: Maxhoranca e sotme po kërkon ta kthejë parlamentin në tallava. Kjo është e patolerueshme dhe është një turp për parlamentarizmin shqiptar. Sot u paraqitëm dhe nuk na u dha fjala. Konferenca e kryetarëve e ka saktësuar që në raste të komisioneve të çështjeve të rëndësishëm mbledhjet  mund të bëhen edhe fizikisht. E trajtuam këtë çështje, por fjala jonë ra në vesh të shurdhër.

Top Channel