“Mijëra biznese drejt falimentit”/ Berisha komenton largimin e demokratëve nga protesta dhe del kundër paketës së re fiskale: Nxit varfërinë, largon edhe investitorët e huaj

01/11/2026 12:41

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shprehet kundër paketës së re fiskale të qeverisë Rama, duke e cilësuar atë si një goditje të rëndë për qytetarët më të varfër, bizneset e vogla dhe shtresën e mesme.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha pretendoi se ndryshimet në sistemin e taksave do të sjellin rritje çmimesh, falimentim të bizneseve dhe largim të investitorëve të huaj.

Sipas tij, vendimi për rritjen e taksave është marrë pa paralajmërim dhe pa konsultim, ndërsa pretendimi i qeverisë për rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit në 10 miliardë euro, sipas Berishës, do të përkthehet në më shumë vjedhje dhe varfëri për qytetarët.

“Paketa është një goditje e rëndë për këto tre kategori, për më të varfrit, për bizneset e vogla, për shtresën e mesme”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së u ndal veçanërisht te përfshirja e dyqaneve të vogla në skemën e TVSH-së, duke pretenduar se rreth 18 mijë biznese rrezikojnë falimentimin pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve.

“Me hyrjen e saj në fuqi, rreth 18 mijë biznese të vogla shkojnë drejt falimentimit sepse futen në fashën e TVSH-së”, u shpreh ai.

Berisha kundërshtoi gjithashtu rritjen e TVSH-së për profesionet e lira në 21%, duke argumentuar se kjo do të sjellë shtrenjtim të shërbimeve për qytetarët dhe do t’i shtyjë shumë specialistë e profesionistë drejt largimit nga Shqipëria.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij ishte dyfishimi i taksës së dividendit nga 8% në 15%, për të cilën tha se do të ndikojë negativisht në investimet e huaja.

“Rritja e saj në 15 përqind është de facto një thirrje për investitorët e huaj: mos hajdeni në Shqipëri”, deklaroi Berisha.

Ai kritikoi edhe politikën e qeverisë për çmimet e ushqimeve, duke pretenduar se përfshirja e dyqaneve të vogla në skemën e TVSH-së do të sjellë rritje me 6% të çmimeve për konsumatorët. Sipas tij, barra më e madhe do të bjerë mbi pensionistët dhe shtresat në nevojë.

Në përgjigje të paketës fiskale, Berisha prezantoi edhe disa nga zotimet e PD-së në rast se vjen në pushtet. Ai tha se asnjë taksë nuk do të jetë më e lartë se 12.5%, përfshirë TVSH-në, ndërsa profesionet e lira do të përjashtohen plotësisht nga taksimi ose do të kenë një normë prej 12.5%.

“Për PD-në në pushtet nuk do të ketë asnjë taksë mbi 12.5 përqind, përfshirë TVSH-në”, u shpreh kreu i opozitës. Ai premtoi gjithashtu se taksa e qarkullimit nuk do të paguhet më në karburant dhe se çmimi i naftës në Shqipëri nuk do të jetë më i lartë se në vendet përreth.

LARGIMI I DEMOKRATËVE NGA PROTESTA – Gjatë bashkëbisedimit, Berisha iu përgjigj edhe kritikave të disa demokratëve, të cilët kanë kërkuar që PD-ja të organizojë protesta me simbolet e saj dhe të mos bëhet pjesë e lëvizjeve të tjera protestuese.

Gjatë protestës së djeshme pati një përplasje, ku deputetët e PD nuk u lejuan t’i bashkoheshin protestës te Ministria e Arsimit.

Ai mbrojti vendimin e Partisë Demokratike për të mbështetur protestat qytetare pa vendosur simbolet partiake, duke argumentuar se një veprim i tillë synonte të shmangte përçarjen e pjesëmarrësve.

“Një protestë me simbolet e Partisë Demokratike do të përçante këtë protestë të madhe. Dhe ne kurrë nuk e merrnim përsipër atë”, deklaroi Berisha, duke shtuar se në atë moment interesi i vendit ishte mbi atë të partisë.

Ai tha se PD-ja ka qenë e pranishme që në fillim në protestat studentore dhe se demokratët kanë dhënë mbështetje të vazhdueshme, por theksoi se protesta nuk drejtohet nga Partia Demokratike.

Berisha komentoi edhe qëndrimet e disa protestuesve që kanë përdorur sloganet “Rama n’burg, Berisha n’burg” dhe “Opozitë e shitur”, duke i cilësuar si përpjekje për të penguar pjesëmarrjen e qytetarëve në protestë.

“Një grup i vogël ekstremistësh të majtë nuk mund t’i diktojë kurrë PD-së asnjë lloj qëndrimi ndaj revoltës studentore dhe ndaj protestave në tërësi”, u shpreh ai.

Kreu i PD-së garantoi se partia do të vijojë mbështetjen për protestën studentore, ndërsa ftoi në bashkëpunim të gjitha forcat politike dhe shoqërore që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.

“Partia Demokratike do të vazhdojë mbështetjen e saj të fuqishme për revoltën studentore me çdo çmim dhe pa asnjë lloj hezitimi”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se PD-ja nuk do të lejojë që, sipas tij, provokatorë apo grupe të vogla politike t’i diktojnë qëndrimet e saj ndaj protestave dhe opozitarizmit.

SPAK – Berisha komentoi edhe rolin e SPAK-ut, duke e cilësuar atë si një strukturë që, sipas tij, nuk është e pavarur nga qeveria. Ai e akuzoi mazhorancën për ndikim mbi institucionet e drejtësisë, ndërsa kërkoi që hetimet ndaj politikanëve të kryhen pa dallime. Në këtë kontekst, Berisha deklaroi se PD-ja mbështet “funksionimin e pavarur të sistemit të drejtësisë”, duke e konsideruar atë jetik për vendin.

 

 

Top Channel