Akademia e futbollit në UEFA Youth League, një skuadër shqiptare në turneun ‘Domestic Path’

29/09/2021 13:23

Ndërsa ka filluar faza e grupeve të UEFA Youth league ku marrin pjesë sklubet e kategorisë U19, paralelisht në këtë kompeticion nis edhe Domestic Champions Path, një turne ku marrin pjesë 32 skuadrat kampione të vendeve respektive që kanë renditjen më të lartë por që nuk kanë mundur që të kualifikohen për në fazën e grupeve.

Ky lloj turneu është një mundësi që i ofron UEFA këtyre skuadrave që të shfaqen në arenën ndërkombëtare. në këtë pikë janë shumë skuadra debutuese dhe mes tyre është edhe skuadra shqiptare, Akademia e Futbollit, skuadra kampione e Shqipërisë.

E krijuar në vitin 2014 nga trajneri i kombëtares U21, Alban Busi, skuadra Akademia e Futbollit nga e cila kanë dalë edhe talente si Sherif Kallaku dhe Indrit tuci ka arritur shumë shpejt që të shkruajë emrin në Youth league.

Në këtë turne ndeshjet e së cilës janë me sistem vajtje ardhje, akademia e Futbollit do të nisë aventurën e saj pasditen e sotme me sfidën që do të luajë në Sofje ndaj Septemvrit  ndërkohë që sfidën e kthimit do ta luajë në 19 tetor, nëse do të kualifikohet Akademia e Futbollit do të luajë me fituesin e Rangers-Hammarby.

Top Channel